Paketa e Maleve, Rama: Projekti ‘Porta e Alpeve’ një investim 100 milionë euro për turizmin malor

Aktualitet | 5 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama, duke folur në podkastin “Flasim” gjatë rubrikës “Shënimet e Javës”, u ndal tek projekti “Porta e Alpeve”, pjesë e Paketës së Maleve, duke e cilësuar si një ndërhyrje madhore për zhvillimin e turizmit në zonat veriore të vendit.

Ai shpjegoi se projekti është i bashkëfinancuar me Bankën Europiane të Investimeve dhe kap vlerën e 100 milionë eurove, duke synuar përmirësimin e infrastrukturës rrugore, transportit, ujësjellësit, menaxhimit të ujërave të zeza, si dhe restaurimin e trashëgimisë historike të zonës.

“Porta e Alpeve përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë me një investim masiv prej 100 milionë eurosh, i bashkëfinancuar me Bankën Europiane të Investimeve, për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit, me fokus turizmin malor. Është një projekt për të cilin kemi punuar për një kohë të gjatë, që synon të lidhë më mirë zonat e veriut me njëra-tjetrën dhe me pjesën tjetër të vendit, padyshim duke krijuar aksese të lehta dhe të qëndrueshme gjatë gjithë vitit,” tha Rama.

Kryeministri theksoi se projekti ka një qasje të integruar, duke përfshirë jo vetëm infrastrukturën, por edhe kujdesin për ruajtjen e natyrës së paprekur. Ai shtoi se kjo nismë ka potencialin për të dhënë një nxitje të madhe zhvillimit ekonomik dhe turizmit në veri.

“Kjo është qasja e integruar e një projekti që nuk trajton vetëm një segment, një aspekt, por ka një shtrirje gjithëterritoriale dhe synon, dhe besoj ka të gjithë potencialin, për t’i dhënë një nxitje ekstra zhvillimit të turizmit dhe të ekonomisë në veriun e vendit,” u shpreh Rama.

Në fund, ai iu drejtua kritikëve që pretendojnë se qeveria nuk ka bërë mjaftueshëm për veriun, duke theksuar se investimet e kësaj qeverie në zonat veriore janë më të mëdha se të gjitha qeveritë e mëparshme të marra së bashku.

“Sa ka bërë dhe sa do të bëjë kjo qeveri për veriun e vendit, nuk kanë bërë të gjitha qeveritë e marra së bashku, qysh se Shqipëria ka hyrë në rrugën e liri-demokracisë,” tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme