Paralajmërimi i Ramës: Kryebashkiakët pa 10 agroturizma dhe 3 SHBB nuk rikandidojnë

Bujqësi | 5 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla, zhvilloi një takim me fermerët e Dibrës në kuadër të turit “Punët e Shqipërisë”.

Diskutimet u përqendruan tek rritja e investimeve në bujqësi, lehtësitë e reja për mbështetjen e sektorit dhe domosdoshmëria e arritjes së standardeve të prodhimit për tregun e Bashkimit Europian.

Një nga fermerët prezantoi krijimin e një Shoqërie të Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB)  të re, me emrin “Dibra Origin”, ku bashkia është aksionere.

Gjatë bashkëbisedimit me Ramën ai tha se, “Jemi në fazën e regjistrimit në gjykatë të kooperativës për qershitë, bashkia është bashkuar si aksionere. Kemi gjetur ambientin e përshtatshëm dhe të gjithë bashkë me hapjen e fondeve të IPARD-it do të aplikojmë si SHBB për të fituar pajisje dhe materialet e nevojshme, jo vetëm për paketimin dhe eksportin e qershisë, por edhe përpunimin e qershisë.”  

Nga ana e tij kryeministri e cilësoi këtë hap si një fazë të re të domosdoshme për bujqësinë shqiptare.

  “Ne nuk jemi më të dëshiruar, por të detyruar të hyjmë në këtë fazë të re të bujqësisë, që është faza e bashkimit. E bashkimit që bën fuqinë, jo si kooperativat e dikurshme, por si kooperativat e Bashkimit Europian.”  

Ai shpjegoi se modeli i SHBB-ve është i thjeshtë dhe i bazuar në praktikat e BE-së.

  “Secili prodhon më vete dhe të gjithë shesin bashkë. Duke shitur bashkë krijojnë një volum shumë më të madh, pra kanë një pozitë negociuese shumë më të fortë me blerësin. Harmonizojnë veprimtarinë prodhuese, mbjellin me një farë, ndajnë kostot e punimit dhe përkujdesjes, më pas grumbullojnë, ambalazhojnë dhe shesin.”  

Rama sqaroi rolin e bashkisë në këtë proces duke theksuar se “Në Dibër SHBB-ja ndërtohet mes fermerëve dhe bashkisë dhe bashkia është aksionere, por nuk është aksionere që t’ju marrë juve fitimet. Është aksionere në një kompani dhe emrin ia kishit gjetur… ‘Dibra Origin’. Po, ‘Dibra Origin’. Në anglisht për tregun europian. Po, shumë mirë. Në rregull, për tregun europian dhe për të gjithë europianët e bulevardit të Tiranës.”

Ai e shpjegoi rëndësinë e krijimit të një marke të njohur sikurse wshtw menduar ‘Dibra Origin’ dhe bëhet një markë dhe pastaj marka fillon njihet. Për shkak të markës pastaj njerëzit shkojnë dhe thonë: ke ‘Dibra Origin’?. Në të kundërt nuk e përballojmë dot përplasjen e madhe që do të vijë kur ne të bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian.”

Kryeministri Edi Rama, duke folur për sfidat që e presin bujqësinë shqiptare në tregun europian, e shpjegoi me tone të drejtpërdrejta domosdoshmërinë e bashkimit të fermerëve. Ai paralajmëroi se konkurrenca e madhe nuk mund të përballohet në mënyrë individuale:

“Gjithë ai treg i madh ne do dalim tek e tek edhe do mbijetojmë? Ku do t’i shesim produktet? Me çanta në rrugët e Brukselit? Ku?” – u shpreh Rama, duke nënvizuar se pa organizim të përbashkët, prodhuesit nuk kanë mundësi të sigurojnë tregje të qëndrueshme.

Ai shtoi se siguria ushqimore dhe standardet e kërkuara nga BE nuk mund të realizohen nëse secili vepron i vetëm.

Rama shtoi se mbështetja financiare dhe institucionale është tashmë e garantuar duke theksuar se, “Ne e kemi rritur shumë ndjeshëm mbështetjen dhe tani do të firmosim marrëveshjen me bankat dhe me Bankën e Shqipërisë për programin ‘Dyfisho ndërmarrjen tënde’, që do ofrojë kredi me interesa më të ulëta dhe të garantuara nga shteti.”  

Në vijim, Kryeministri u ndal tek çështja e kostove të larta të prodhimit, duke theksuar se ato mund të ulen vetëm përmes bashkëpunimit.

 “Si do ulen kostot e prodhimit se ankohen me të drejtë për kostot e prodhimit, por kostot prodhimit ulen. Se në qoftë se një traktor, një autokombajnë, një zetor duhet ta kesh vetë, duhet ta ushqesh vetë e duhet ta mirëmbash vetë është ndryshe po ta kesh me pesë të tjerë, me 10, me 15, me 20, me 30 dhe ta ushqeni bashkërisht dhe ta mirëmbani bashkërisht. Ndërkohë zetori nuk rri kot, por bën gjithë ditën punë për të gjithë dhe kështu ulen kostot.”

Në vijim, ai dëgjoi fermerët pjesëmarrës teksa ndanë eksperiencat e tyre në zhvillimin e aktivitetit bujqësor dhe agropërpunues, duke theksuar përfitimet konkrete nga skemat mbështetëse dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes tyre.

Mes të tjerash, duke përmendur Paketën e Maleve, Rama iu drejtua kryetarit të bashkisë Rahim Spahiut duke i thënë se mos ta marrë mundimin të rikandidojë nëse nuk mundëson hapjen e 10 agroturizmave në Dibër, por edhe të 3 Shoqëri të Bashkuara Bujqësore (SHBB).

“Nuk është më problemi tek paratë, problemi është tek aplikimi. Për pak muaj do të firmosim me bankat. Askush nuk ka më alibi, as kryetarët e bashkiave. Ua kam thënë, e dua shumë Rahimin, është dibran i mirë, ka ardhur këtu për të shërbyer pasi ishte në bankë, por ia kam thënë se po nuk bëtë 10 agroturizma dhe 3 shoqëri të bashkuara, as mos hajde të kandidoni më sepse bashkitë nuk janë më vetëm: shtro rrugë, vër drita, pastro plehtra dhe në fshat pastro kanale. Bashkitë duhet të jenë aleatët e fermerëve!”, tha Rama duke theksuar se 500 fituesit e parë që do marrin lejen do të jenë pa asnjë taksë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme