Muzeu i Dibrës, interesi nga vendasit dhe të huajt në rritje nga viti në vit
Muzeu i Dibrës, i vënë në funksion që prej vitit 1964, përbëhet nga tre pavione kryesore, ai historik, etnografik dhe arkeologjik.
Brenda tyre ruhen dhe ekspozohen një sërë objektesh me vlera të veçanta që pasqyrojnë historinë dhe traditat e zonës.
Morena Ruçi, përgjegjëse e muzeut, tregon për materialet e gjetura dhe rëndësinë e tyre për trashëgiminë kulturore.
“Këtu jemi tek pavioni arkeologjik, ku ndodhen gjetjet më të hershme të vendit tonë, që datojnë nga periudhat më të hershme deri në Mesjetë. Në secilën stendë janë vendosur fragmente të ndryshme enësh dhe veglash pune, të klasifikuara sipas vendit të zbulimit.
Më pas jemi tek oda e burrave, ku një ndër karakteristikat kryesore është oxhaku, i cili ndodhet në fillim të odës. Pjesa ulëse përbëhet nga shiltet. Në njërën anë të oxhakut ulej i ftuari, miku më i rëndësishëm i asaj nate, ndërsa në anën tjetër ulej i zoti i shtëpisë. Më pas, sipas rëndësisë, uleshin edhe të tjerët”, tha ajo.
Ruçi thekson se viti që lamë pas ka qenë i suksesshëm për sa i përket numrit të vizitorëve, si vendas ashtu edhe të huaj, duke arritur mbi 2600 vizitorë.
“Muzeu ynë është i vizitueshëm gjatë gjithë vitit. Vizitorët vijnë nga Shkodra, Mirdita, Kosova, Maqedonia e shumë vende të tjera. Gjatë stinës së verës kemi edhe turistë të huaj, të cilët e vizitojnë më së shumti”, tha ajo.
Sa i përket aksesit, muzeu është i vizitueshëm pothuajse gjatë gjithë vitit, duke u ofruar turistëve mundësi të vazhdueshme për ta eksploruar.
“Nga viti në vit kemi një rritje të numrit të vizitorëve këtu në qytetin tonë. Vitin që lamë pas kishim rreth 2,763 vizitorë”, tha ajo.
Dibra ofron një sërë destinacionesh turistike, duke nisur nga bjeshkët, turizmi balnear dhe deri te sektorë të tjerë të zhvillimit turistik, çka e bën zonën gjithnjë e më tërheqëse për vizitorët.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





