SmartLab ndryshon arsimin në Lezhë, Ministria e Arsimit dhe Banka Botërore ndjekin mësimin digjital
Teknologjia po ndryshon mënyrën e të mësuarit në arsimin shqiptar. Në shkollën “Gjergj Kastrioti” në Lezhë, laboratori SmartLab po ndihmon nxënësit të zhvillojnë aftësi në programim, logjikë dhe punë në grup. Laboratori u vizitua nga Zëvendësministrja e Arsimit, Orjana Osmani, dhe përfaqësues të Bankës Botërore, të cilët ndoqën nga afër procesin mësimor digjital.
Menaxheri i Zyrës së Grupit të Bankës Botërore, Massimiliano Paolucci, u shpreh se: “Jemi këtu për të parë se si teknologjia po ndryshon arsimin e sotëm dhe të nesërm. Nxënësit po e përdorin atë jo vetëm për argëtim, por për të njohur dhe zhvilluar aftësitë e tyre, duke ndikuar edhe në të ardhmen e ekonomisë. Ne po mbështesim përhapjen e kësaj metodologjie në shkolla, në shërbimet e së ardhmes së vendit.”
Ndërsa Zëvendësministrja e Arsimit, Orjana Osmani, theksoi se, “Në Shqipëri janë rreth 316 smart lab-e dhe deri në fund të vitit 2027 do të shkohet në 1.000 smart lab-e në të gjitha shkollat e Shqipërisë, që sjellin atë që është më e rëndësishmja: informacion në edukim. Teknologjia në këtë rast nuk është thjesht mjet, por është një mundësi e mirë për të rritur mundësitë e nxënësve për të mësuar dhe për të fituar më shumë njohuri në arsim.”
SmartLab është pjesë e një programi kombëtar për modernizimin e arsimit parauniversitar, me laboratorë digjitalë dhe metoda inovative në qindra shkolla.
Programi synon reduktimin e hendekut digjital dhe përgatitjen e nxënësve për sfidat e ekonomisë së së ardhmes.
/rsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





