Gjykata e Lartë lehtëson masën e sigurisë ndaj ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, nga “arrest në shtëpi” në “detyrim paraqitje”

Aktualitet | 7 muaj më parë

Gjykata e Lartë ka marrë vendimin për të lehtësuar masën e sigurisë ndaj ish-drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj. E hetuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për dyshime mbi shkelje të procedurave në tenderë publikë, Karçanaj do të ndiqet tashmë në një gjendje më të lirë sigurie.

Trupi gjykues i Gjykatës së Lartë ka vendosur të ndryshojë vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Posaçme të Apelit, i cili e mbante ish-zyrtaren e lartë nën masën “Arrest në shtëpi”. Me vendimin e ri, kjo masë është zëvendësuar me ato të “Detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimit të daljes jashtë shtetit”.

Sipas dispozitivit të gjykatës, Karçanaj është e detyruar të respektojë një orar strikt kontrolli:

“Personi nën hetim, Mirlinda Karçanaj, urdhërohet të paraqitet pranë policisë gjyqësore të martën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 10:00. Gjithashtu, asaj i ndalohet largimi nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizim paraprak nga gjykata.”

Vendimet për Erion Ismailajn dhe Gëzim Hoxhën

Në të njëjtën seancë, Gjykata e Lartë ka shqyrtuar edhe kërkesat e personave të tjerë të përfshirë në këtë procedim. Ndryshe nga rasti i Karçanajt, për dy rekursuesit e tjerë masat nuk kanë ndryshuar.

Gjykata ka lënë në fuqi masat për Erion Ismailaj (Zëvendësdrejtor i Policisë së Tiranës). Mbetet në fuqi masa e pezullimit nga detyra dhe ndalimi i daljes jashtë shtetit. Edhe për Gëzim Hoxhën, (administrator i një kompanie private), Mbetet në fuqi masa e sigurimit “Ndalim i daljes jashtë shtetit”.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është ngarkuar zyrtarisht me ekzekutimin e menjëhershëm të këtij vendimi dhe monitorimin e zbatimit të detyrimeve nga ana e personave nën hetim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme