Raporti i ri i INSTAT, tkurret arsimi parauniversitar, rritet numri i studentëve, vajzat dominojnë diplomat universitare

Të dhënat më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) për vitin shkollor dhe akademik 2024-2025 zbulojnë një tablo plot kontraste për sistemin arsimor në Shqipëri. Ndërkohë që shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet po përballen me një tkurrje të numrit të të diplomuarve, arsimi i lartë po përjeton një rritje të ndjeshme, i udhëhequr bindshëm nga vajzat.
Në të gjitha institucionet arsimore publike dhe jopublike të vendit gjatë vitit 2024-2025,u diplomuan në total 82,640 nxënës dhe studentë. Prej tyre, arsimi 9-vjeçar dhe ai i mesëm i lartë mbajnë peshën kryesore me përkatësisht 33,5% dhe 31,4%, ndërsa arsimi i lartë zë 35,0% të totalit të diplomimeve.
Rënia e lehtë në arsimin parauniversitar
Shifrat zyrtare tregojnë se cikli parauniversitar ka pësuar një rënie krahasuar me një vit më parë (2023- 2024), një tregues ky që shpesh lidhet me dinamikat demografike të vendit. Në dokumentin e INSTAT theksohet se:
“Gjatë vitit 2024-2025, në arsimin parauniversitar u diplomuan 53.701 nxënës, duke shënuar një rënie prej 1,5 %, krahasuar me vitin e kaluar shkollor.”
Në detajimin e këtyre shifrave, vihet re se 27,682 nxënës përfunduan arsimin 9-vjeçar (0,1% më pak se vjet), ku pjesa dërrmuese prej 89,3% zgjodhën institucionet publike.
Në arsimin e mesëm të lartë (gjimnaze dhe shkolla profesionale) u diplomuan 25,925 nxënës, duke shënuar një rënie më të theksuar prej 3,0%. Një e dhënë tjetër me rëndësi për tregun e punës është se arsimi profesional vazhdon të tërheqë një numër të kufizuar të rinjsh. Sipas raportit, “vetëm 12,3 % janë diplomuar në arsimin profesional,” sektor ku vajzat përbëjnë një pakicë të theksuar me vetëm 15,7%.
Rritja e universiteteve dhe dominimi i vajzave
Në kontrast të plotë me shkollat e mesme, universitetet shqiptare kanë prodhuar më shumë të diplomuar gjatë këtij viti akademik. Sipas INSTAT:
“Gjatë vitit akademik 2024-2025, u diplomuan në arsimin e lartë 28.939 studentë, duke shënuar një rritje prej 2,6 %, krahasuar me një vit më parë.”
Edukimi i lartë në Shqipëri mban një vulë të qartë femërore. Të dhënat tregojnë se plot 65,3 % e të diplomuarve në arsimin e lartë janë femra, duke dëshmuar për një prirje të lartë të vajzave drejt kualifikimit akademik. Ndërkohë, institucionet publike mbeten sërish zgjedhja kryesore, duke diplomuar 66,6% të studentëve.
Ndarja sipas programeve tregon një dëshirë për kualifikim të thelluar: rreth gjysma e studentëve (50,6%) u diplomuan në programin Bachelor, ndërsa një përqindje e lartë prej 43,4% përfunduan studimet e ciklit Master.
Drejtësia, ekonomia dhe mjekësia mbeten në krye
Orientimi i studentëve shqiptarë drejt tregut të punës mbetet i fokusuar në profesionet tradicionale. Në analizën e fushave më të preferuara të studimit, shkencat shoqërore dhe ato shëndetësore kryesojnë bindshëm listën. Raporti i INSTAT e thekson këtë prirje duke nënvizuar:
“Në fushën e studimit ‘Biznes, administrim dhe ligj’ janë diplomuar rreth një e katërta e të gjithë studentëve (23,3 %), ndjekur nga fusha e dytë më e preferuar ‘Shëndet dhe mirëqenie’ me 22,4 % dhe ‘Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim’ me 14,0 %.”
Këto të dhëna konfirmojnë se tregu i ardhshëm i punës do të vazhdojë të furnizohet kryesisht me ekonomistë, juristë dhe profesionistë të shëndetësisë, fusha që mbeten magnet për rininë shqiptare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





