Ministrja Kumbaro në Vjenë: Mbështetje e plotë e Austrisë për procesin e integrimit të Shqipërisë

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro gjatë një vizite pune në Austri, zhvilloi një seri takimesh me përfaqësues të institucioneve austriake të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, të fokusuara në procesin e rishikimit të ligjit të arsimit të lartë në Shqipëri, si edhe në forcimin e bashkëpunimit akademik mes dy vendeve.
Kumbaro u prit nga Ministrja e Grave dhe Kërkimit Shkencor, Eva-Maria Holzleitner, me të cilën diskutoi mbi shkëmbimin e eksperiencave në fushën e arsimit të lartë, standardeve europiane dhe reformave universitare. Një vëmendje e veçantë iu kushtua modelit të bashkëpunimit mes BOKU University dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës, i cili po konsiderohet një shembull konkret i partneritetit akademik ndërkombëtar.
Gjatë takimeve, pala austriake shprehu gatishmërinë për të mbështetur Shqipërinë me ekspertizë në procesin e rishikimit të ligjit të arsimit të lartë, duke ndarë përvojën e reformës së thellë që Austria ka ndërmarrë që prej vitit 2002 në sistemin universitar dhe kërkimin shkencor.
Një tjetër fokus i rëndësishëm i vizitës ishte edhe mbështetja e Austrisë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Ministrja Holzleitner përcolli mesazhe pozitive mbi progresin e vendit tonë në raport me Bashkimi Europian.
Dy kapitujt që lidhen me arsimin dhe kërkimin shkencor pritet të jenë ndër të parët që do të përmbyllen në kuadër të negociatave të anëtarësimit.
Në vijim të vizitës, ministrja Kumbaro zhvilloi takime pune edhe me departamentin austriak të arsimit të lartë dhe me agjencinë austriake të sigurimit të cilësisë, ku u diskutua mbi autonominë universitare, ndërkombëtarizimin, standardet europiane dhe modernizimin e institucioneve të arsimit të lartë.
Ministrja shoqërohej në këtë vizitë edhe nga drejtues të Universiteti Bujqësor i Tiranës, ndërsa në ditët në vijim delegacioni shqiptar do të zhvillojë vizita në Universitetin BOKU, universitet i cili po vijon ndërtimin e partneritetit strategjik me Universitetin Bujqësor të Tiranës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





