Mesazhi i kreut të Këshillit Evropian para turit në Ballkan, Costa: Momenti për zgjerimin e BE-së është tani!

Politikë | 4 muaj më parë

Pak ditë para nisjes së turit të tij në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka përcjellë një mesazh të qartë për të ardhmen evropiane të rajonit, duke theksuar se momenti për zgjerimin e Bashkimit Evropian është tani.

Këtë javë do të vizitoj gjashtë partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor. Vizita ime në rajon dërgon një sinjal të qartë: angazhimi ynë ndaj Ballkanit Perëndimor është real dhe po aq reale është edhe mundësia e zgjerimit. Momenti i duhur është këtu. Tani është koha për të dhënë rezultate”,

Presidenti i Këshillit Evropian do të zhvillojë një tur vizitash në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë javës së parë të qershorit.

Ndalja e parë do të jetë në Sarajevë, ndërsa më 2 qershor ai do të vizitojë Tiranën, ku do të takohet me Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Bajram Begaj dhe studentët e Kampusit të Tiranës të Kolegjit të Evropës.

Më pas, Costa do të vijojë takimet në Shkup, Prishtinë dhe Beograd, për ta përmbyllur turneun më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi, ku do të bashkëkryesojë Samitin vjetor BE–Ballkani Perëndimor.

Gjatë vizitave, fokusi i diskutimeve me drejtuesit e rajonit do të jetë procesi i zgjerimit të BE-së, integrimi gradual i vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimi rajonal, si dhe sfidat që lidhen me sigurinë dhe stabilitetin.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme