Cyla Dyjare, tradita që trashëgohet/Mjeshtri 82-vjeçar nga Gjirokastra ia ka përcjellë të birit artin e këtij punimi
Në një kohë kur shumë tradita po zbehen dhe zanatet e hershme po harrohen, në Gjirokastër ka ende njerëz që i qëndrojnë besnikë trashëgimisë kulturore.
Njëri prej tyre është Mane Dinaj, marangoz me profesion, por mbi të gjitha një mjeshtër i punimit të cylës dyjare, instrumentit tradicional që dikur shoqëronte barinjtë në kullotat e maleve.
Prej dekadash, duart e tij i japin formë drurit, duke krijuar një instrument të veçantë jo vetëm për mënyrën e përpunimit, por edhe për tingujt karakteristikë e melodiozë që përcjell.
“Ky instrument është një instrument i vjetër, për të cilin nuk dihet se kur ka lindur. Ai e ka origjinën në krahinën e Labërisë. I binin kur kullotnin bagëtitë, por edhe në familjet që mblidheshin në stanet e tyre. E veçanta e tij është se është një fyell me dy cula”, u shpreh Mane Dinaj.
Por kënaqësia më e madhe për 82-vjeçarin është fakti se kjo mjeshtëri nuk do të ndalet me të. I biri ka zgjedhur të ndjekë gjurmët e të atit, duke mësuar jo vetëm përgatitjen e instrumentit, por edhe artin e nxjerrjes së melodive prej tij.
“Që në moshë të vogël, shikoja babanë dhe xhaxhallarët e mi teksa punonin. Edhe unë përpiqesha të bëja të njëjtën gjë, por shpesh ua prishja punën. Qysh atëherë merresha me artin dhe dëgjoja tingujt e melodive të fyellit dhe të longarit, të cilat më pëlqenin shumë. Në klasën e pestë arrita të merrja pjesë në festivale folklorike me fyell dhe longar”, tha instrumentisti, Panajot Dinaj.
Mane Dinaj e ka cylën dyjare të pandarë që prej moshës 12-vjeçare. Një jetë e tërë e kaluar mes drurit dhe tingujve, duke dëshmuar se traditat nuk ruhen vetëm në kujtesë, por mbi të gjitha përmes njerëzve që zgjedhin t’i trashëgojnë ato.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



