Zi kombëtare në Poloni pas terrorit në Krakov, 24-vjeçari me pikëpamje të ekstremit të djathtë ekzekuton prindërit e motrën dhe qëllon turmat

Europë | 8 minuta më parë

Polonia ka nisur dy ditë zie kombëtare pasi një 24-vjeçar i përfshirë në ideologji radikale të ekstremit të djathtë hyri me automjet në Sheshin Kryesor të Krakovit – një nga qendrat më të populluara turistike të qytetit – duke hapur zjarr ndaj qytetarëve. Nga të shtënat në shesh mbetën të vrarë gjashtë persona dhe u plagosën 15 të tjerë, përpara se autori të neutralizohej nga forcat e policisë.

Niveli i dhunës dhe pasojat e ngjarjes bënë që Ministri i Mbrojtjes i Polonisë ta përshkruante sulmin si një “akt terrori”. Në shenjë respekti për viktimat, thirrja e Trombës së Shën Marisë – melodia tradicionale që luhet çdo orë nga kulla e Bazilikës së Shën Marisë – u ndërpre gjatë natës, duke shënuar herën e parë që ky zakon ndërpritet që nga Lufta e Dytë Botërore.

Prokurorët konfirmuan se kanë nisur zyrtarisht një hetim për vrasje dhe tentativë vrasjeje masive, duke përcaktuar se ngjarja “përbën një vepër terroriste”. Dimensionet e krimit u zgjeruan kur policia zbuloi trupat e pajetë të babait, nënës dhe motrës 20-vjeçare të autorit në shtëpinë e familjes në Ostrowiec Świętokrzyski, të cilët sipas autoriteteve “me shumë gjasa kanë vdekur nga plagët e marra nga armë zjarri”, duke e çuar bilancin tërësor të viktimave të lidhura me autorin në 9 të vdekur.

Sa i përket viktimave në shesh, guvernatori rajonal i Malopolskas, Krzysztof Jan Klęczar, bëri me dije se mes të vrarëve janë katër gra dhe dy burra – katër prej të cilëve shtetas polakë, një shtetas britanik dhe një grua me nacionalitet ende të paidentifikuar. Po ashtu, mes 15 të plagosurve numërohen edhe pesë shtetas të huaj nga Mbretëria e Bashkuar, Portugalia, Rusia, Gjermania dhe Austria.

Dy oficerët e policisë që u përballën me autorin mbeten të shtruar në spital me lëndime të rënda. Guvernatori Klęczar i cilësoi veprimet e tyre si heroike, duke theksuar se “nëse nuk do të jetë për ndërhyrjen efikase dhe vetëmohuese të këtyre dy të rinjve, numri i viktimave mund të kishte qenë dukshëm më i lartë”. Autori i sulmit ndodhet gjithashtu në spital në gjendje kritike pas disa ndërhyrjeve kirurgjikale.

Profilizimi i autorit tregon për shkallë të lartë radikalizimi. Ministri i Brendshëm, Marcin Kierwiński, deklaroi gjatë një konference për shtyp se “çdo gjë tregon se ai ishte i magjepsur nga ideologjitë e ekstremit të djathtë”, duke mbajtur pikëpamje ultranacionaliste. Nga ana e tij, Kacper Rekawek, studiues në Qendrën Ndërkombëtare për Kundërterrorizëm në Hagë, vërejti se pajisjet ushtarake dhe taktika e autorit ngjasonin me atë të “aktorëve të tjerë të vetëm të ekstremit të djathtë” në Evropë.

Në vendngjarje dhe gjatë kontrollit në banesën e familjes u sekuestruan në total 11 armë zjarri. Hetimet vijojnë për të zbardhur itinerarin e plotë të lëvizjes së 24-vjeçarit dhe përgatitjen e tij ushtarake përpara ndërmarrjes së aktit terrorist.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme