Delvina fiton zemrat e vizitorëve, Samueli e zgjodhi për të jetuar dhe tani e rekomandon tek miqtë e tij
Gjithnjë e më shumë të huajt po zgjedhin Shqipërinë jo vetëm për ta vizituar, por edhe për të jetuar në të. Njëri prej tyre është Samuel Koshi, i cili mbërriti në Delvinë disa muaj më parë.
Fillimisht erdhi për të takuar një mikun e tij, por mikpritja e banorëve dhe njohja me ekipin e futbollit të qytetit bënë që ai të ndryshonte planet.
Sot, Samueli mban veshur fanellën e ekipit të Delvinës dhe e konsideron qytetin shtëpinë e tij të dytë.
“Jam këtu prej katër muajsh. Fillimisht erdha për të vizituar një mikun tim që jetonte në Delvinë. Ai më tha se peizazhi ishte shumë i bukur dhe se njerëzit ishin të mrekullueshëm. Kështu që vendosa ta vizitoja. Më pas u prezantova me klubin dhe njerëzit e Delvinës më pritën aq mirë, sa më kërkuan të qëndroja. Tani jetoj në Delvinë dhe luaj për ekipin e futbollit. Që atëherë kam vizituar edhe qytete të tjera si Vlora, Korça, Maliqi dhe disa vende më të vogla. Duhet të them se të gjitha janë shumë të bukura. Megjithatë, tani që jam këtu, duhet t’ia jap meritën Delvinës. Njerëzit këtu më duan shumë, ndaj nuk mund të veçoj një qytet tjetër. Edhe Saranda mbetet një nga qytetet e mia të preferuara”, vlerëson ai.
I impresionuar nga eksperienca e tij, Samueli ua ka sugjeruar edhe miqve të tij të vizitojnë Delvinën. Njëri prej tyre, i cili e vizitoi së fundmi qytetin, tregon se mbeti i surprizuar nga bukuria natyrore, qetësia dhe mikpritja e banorëve.
“Kam ardhur këtu në janar, por Shqipërinë e njihja edhe më parë. Më pëlqen shumë Shqipëria sepse njerëzit janë shumë mikpritës. Tani me ftoj shoku im në Delvinë , kam ngelur i impresionuar “, shprehet ai.
Në një kohë kur Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga vende të ndryshme të botës, historia e Samuelit tregon se për disa prej tyre udhëtimi nuk përfundon me një vizitë. Delvina, me mikpritjen, traditat dhe jetën e saj të qetë, ka arritur të fitojë zemrat e njerëzve që vijnë ta njohin.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





