Biblioteka “Marin Barleti” në rrjetin COBISS, mundësi më të mëdha për studiuesit dhe lexuesit
Pas disa vitesh bashkëpunimi dhe përgatitjesh teknike, Biblioteka Publike “Marin Barleti” e Shkodrës është tashmë anëtare me të drejta të plota e rrjetit ndërkombëtar COBISS, një platformë moderne softuerike që lidh bibliotekat në nivel rajonal dhe ndërkombëtar në një sistem të përbashkët informacioni. Përmes këtij rrjeti, biblioteka mund të realizojë katalogimin online të materialeve, menaxhimin e bazës së të dhënave lokale, si dhe kërkimin elektronik të librave dhe materialeve bibliografike nga përdoruesit.“Biblioteka jonë është pjesë e këtij sistemi prej 13 viteve. Falë mbështetjes së bashkisë Shkodër, vitin e fundit ajo u bë anëtare me të drejta të plota. Kjo do të thotë që jo vetëm kemi të drejtë të përdorim sistemin në kërkimin e librave dhe ofrohet një shërbim më i shpejtë”, deklaroi Sidita Halluni, Specialiste e digjitalizimit Biblioteka “Marin Barleti”, Shkodër.
Përfshirja në sistemin COBISS rrit ndjeshëm mundësitë e aksesit në fondet bibliotekare, duke ofruar kërkim më të shpejtë, më të detajuar dhe më të kualifikuar për studiuesit, studentët dhe të gjithë të interesuarit. Një pjesë e konsiderueshme e materialeve të digjitalizuara nga Biblioteka Publike “Marin Barleti” tashmë mund të identifikohet dhe konsultohet më lehtësisht përmes këtij rrjeti.
“Ky sistem ofron edhe bibliotekën dixhitale e cila ka arritur një numër 90.000 një faqe dhe ato janë të gjitha të aksesueshme nëpërmjet këtij sistemi dhe të të shkarkueshme për lexuesit dhe studiuesit e ndryshëm të cilët kanë nevojë për t’i konsultuar, shtoi Halluni.
Biblioteka e Shkodrës zotëron fondin më të madh libror në vend pas Bibliotekës Kombëtare, me rreth 250 mijë libra të organizuar në 12 fonde të veçanta. Që nga nisja e procesit të digjitalizimit në vitin 2007 e deri më sot, janë digjitalizuar rreth 90 mijë faqe që i përkasin koleksioneve dhe ekzemplarëve të rrallë, duke kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së shkruar
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





