Maturantët testojnë njohuritë në matematikë, provimi i një niveli mesatar

Arsim | 4 muaj më parë

Maturantët i janë nënshtruar këtë të martë provimit të tretë të maturës shtetërore, atij të matematikës. Herët në mëngjes janë paraqitur në institucionet arsimore dhe më pas i janë drejtuar klasave sipas një grafiku të përcaktuar më herët nga Qendra e Shërbimeve Arsimore. Të pyetur pas testimit, maturantët konfirmuan se provimi ishte i një niveli mesatar vështirësie dhe koha e vendosur në dispozicion ishte e mjaftueshme për të zgjidhur 60 pyetjet e testit.

“Provimi ishte mesatar. Kishte disa ushtrime të thjeshta, disa të nivelit mesatar dhe disa pak më me ‘kleçk’, që kërkonin më shumë përqendrim.”

“Provimi ishte në nivel mesatar. Pyetjet ishin të gjitha të realizueshme dhe i bëra të gjitha. Kërkohej pak përqendrim mbi njohuritë nga tre vite studim që të arrish rezultat të mirë.”

Nuk kanë munguar edhe ata që provimin e kanë konsideruar të vështirë.


“Ishte i vështirë, nuk i kam bërë të gjitha, por gati të gjitha. Problemet me integralet. I kam bërë shumicën, por jo të gjitha. Mund të kem lënë një ose dy.”

Ndërsa rregullat në klasë kanë qenë strikte, askush nuk ka mundur të komunikojë.


“Asnjë lloj shansi për të kopjuar. Nuk komunikuam fare, fare, fare. Por që ishte perfekt fare.”

Prindërit kanë pritur të emocionuar jashtë dyerve të shkollave përshtypjet e para të fëmijëve të tyre.


“Jemi të emocionuar për shumë arsye. Ky moment na kujton historinë tonë të gjerë, të gjitha përpjekjet dhe arritjet që kemi bërë deri më tani. Natyrisht, është edhe mbyllja e një rrugëtimi mjaft të mirë, por në të njëjtën kohë është nisja e një rrugëtimi edhe më të mirë. Ky emocion është i lidhur me kujtimet, me përvojën e fituar dhe me shpresën për të ardhmen.”

Duket se forcimi i masave në këtë maturë shtetërore ka dhënë rezultat, pasi tezat e këtij provimi nuk qarkulluan në rrjetet sociale. Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, në një reagim në rrjete sociale shkruan.


“Keqardhje për dy nxënës, të cilët gjatë këtij provimi thyen rregulloren duke tentuar të përdorin celular, por që u identifikuan dhe u përjashtuan menjëherë prej tij.”

Procesi i maturës shtetërore do të përmbyllet më 23 qershor me provimin e fundit, atë të lëndës me zgjedhje.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme