Ksamili, destinacion i preferuar i vizitorëve në jug. Deti i kristaltë dhe klima e ngrohtë tërheqin të huajt
Ksamili vazhdon të tërheqë një numër të madh turistësh vendas dhe të huaj, duke u renditur ndër destinacionet më të kërkuara në jug të Shqipërisë. Me fillimin e sezonit veror, plazhet e zonës janë mbushur me pushues që kanë zgjedhur të kalojnë ditët e nxehta pranë brigjeve të njohura për bukurinë e tyre natyrore.
Vitet e fundit, Ksamili ka fituar popullaritet të madh edhe në rrjetet sociale dhe platformat turistike, duke u kthyer në një pikë referimi për turizmin bregdetar shqiptar.
“Unë jam nga Rumania dhe kam zgjedhur Shqipërinë, përkatësisht Ksamilin, sepse kam parë shumë foto në internet që dukeshin shumë të bukura dhe, sidomos kohët e fundit, ka pasur një lloj shpërthimi promovimesh për zonën e Ksamilit. Nuk e dija nëse rruga ishte e lehtë apo jo, por udhëtimi me makinë është i mrekullueshëm ne erdhëm me makinë. Kur mbërritëm këtu, na pëlqeu shumë ajo që pamë, ishte si në fotot në internet.”
“Ne jemi prej 6 ditësh në Ksamil , 6 ditë të tjera ishim në Vlorë. Zgjodhëm këtë vit pushimet ti bëjmë në Shqipëri për të parë a do të na pëlqej vendi. Në Shqipëri më së shumti na kanë pëlqyer njerëzit, janë shumë të sjellshëm.”
“Jemi ne Shqipëri prej disa ditësh dhe kemi zgjedhur për pushime Ksamilin, na është dukur deri tani vend shumë i veçantë për pushimet tona , me plazhe shumë të bukura dhe ujin vërtet kristal.”
Të huajt shprehen se Ksamili vazhdon të ofrojë çmime konkurruese krahasuar me destinacione të tjera të njohura. Sipas tyre, shërbimet në plazhe, restorante dhe struktura akomoduese mbeten të kënaqshme për koston që ofrojnë.
“Para se të vija në Ksamil kontrollova edhe çmimet dhe, duke qenë se zakonisht shkonim me pushime në Greqi, vendosëm t’i jepnim një shans edhe Shqipërisë. Duke i krahasuar, pashë që çmimet janë relativisht të ngjashme me Greqinë.”
“Çmimet për ne janë në rregull . Janë rreth 30% më të lira se në Greqi aktualisht. Unë shkoj me pushime në qershor dhe shtator, sepse korriku dhe gushti janë për të rinjtë më tepër.”
Me plazhet e mbushura dhe fluksin në rritje të vizitorëve, Ksamili konfirmon edhe këtë verë statusin e tij si një prej perlave të turizmit shqiptar, duke tërhequr pushues nga vende të ndryshme të botës.
Gazetare B. Pëllumbi
/rths.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





