Formimi i nxënësve që nuk dëgjojnë- Diplomohet brezi i dytë i maturantëve, përgatiten për tregun e punës
E ka nisur rrugëtimin e dijes që nga klasa e parë në qendrën burimore për nxënësit që nuk dëgjojnë dhe këtë vit përmbyll 12 vite shkollim me dhënien e provimeve të maturës shtetërore. Anidi i ka pëlqyer gjithmonë të pikturojë, ndaj pamundësinë për të shprehur me zë dëshirat dhe nevojat e tij e ka zgjedhur ta përcjellë nëpërmjet ngjyrave dhe pikturës. Endrra e tij është që studimet e larta t’i vijojë për pikturë në Akademinë e Arteve, por nëse nuk do të arrijë këtë qëllim, 18-vjeçari e ka edhe një plan të dytë.
“Unë kam dorë për pikturë dhe më pëlqen të shprehem nëpërmjet saj, ndaj shpresoj të fitoj studimet e larta në Akademinë e Arteve, por njëkohësisht do të aplikoj edhe për programin e gjuhës së shenjave në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, nëse nuk arrij të fitoj për pikturë”, tha Anidi.
Mësuesja e gjuhës së shenjave në këtë qendër, Renata Zela, sqaron se tezat e provimeve janë hartuar në bazë të programit që zhvillojnë këta nxënës gjatë viteve të gjimnazit.
“Nxënësit tanë është viti i dytë të cilit i nënshtrohen provimeve të maturës shtetërore. Zhvillojnë të njëjtat lëndë, por ndryshe nga shkollat e zakonshme, nxënësit tanë i nënshtrohen testeve të cilat janë të specializuara për ta. Deri tani ne jemi shumë të kënaqur me rezultatet të cilat ata kanë”, tha Zela.
Mësuesja Renata u bën thirrje prindërve t’i regjistrojnë fëmijët me probleme në dëgjim në këtë qendër burimore e jo në shkolla të zakonshme, pasi aftësimi i dijeve këtu bëhet në gjuhën e shenjave.
“Çdo familje shqiptare që ka një fëmijë që nuk dëgjon do të lutesha që ta bëjë pjesë të qendrës burimore që nuk dëgjojnë, sepse është i vetmi institucion i specializuar për t’i dhënë mundësinë fëmijëve të tyre të bëhen të pavarur nesër. Këtu mëson të shkruajë, të lexojë dhe të komunikojë, të shprehë çdo gjë që ai ka, ndjen dhe do”, apelon ajo.
Beteja më e madhe e këtyre të rinjve pas përfundimit të studimeve të larta është përballja me tregun e punës. Anidi ka vetëm një ëndërr: përfundimin e studimeve të larta për pikturë dhe finalizimin e gjithçkaje me punësimin e tij si profesor vizatimi.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





