Prezantohet projekti i Kampusit të Ri Universitar “Aleksandër Moisiu”, Sako: Universiteti po shndërrohet në qendër dijesh dhe ideve inovative

Arsim | 3 muaj më parë

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, në fjalën e saj gjatë prezantimit të pesë ekipeve finaliste të Konkursit Ndërkombëtar për Kampusin e Ri Universitar “Aleksandër Moisiu”, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, theksoi rëndësinë e këtij projekti për qytetin dhe për arsimin e lartë në Shqipëri.

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, gjatë fjalës së saj theksoi vizionin e projektit, duke theksuar se  “ Projekti synon të krijojë një hapësirë moderne ku arsimi, kërkimi shkencor, inovacioni, sipërmarrja, kultura dhe jeta studentore ndërthuren në një ekosistem të vetëm zhvillimi.” 

Sako shtoi se bashkëpunimi intensiv i muajve të fundit ka sjellë në këtë fazë finale të konkursit ndërkombëtar, duke e cilësuar Universitetin “Aleksandër Moisiu” si një nga institucionet më të rëndësishme akademike në Shqipëri, me mbi 16 mijë studentë. 

 “Universiteti i Durrësit është një komunitet i gjallë, dinamik dhe në rritje të vazhdueshme. Çdo profesionist i ri që formohet në auditorët tanë përfaqëson një investim të çmuar për të ardhmen e qytetit tonë dhe të gjithë Shqipërisë,” – u shpreh ajo. 

Kryetarja e Bashkisë vuri në dukje se drejtuesit e universitetit kanë vendosur në qendër të prioriteteve bashkëpunimet me universitetet dhe partnerët europianë, duke e shndërruar institucionin gjithnjë e më shumë në një qendër shkëmbimi të dijes, kulturave dhe ideve inovative. 

“Ne duam që studentët të gjejnë këtu jo vetëm një institucion arsimor me standarde të larta, por edhe një mjedis ku zhvillojnë karrierën dhe të ardhmen e tyre, për të realizuar aspiratat që kanë në jetë,” – tha Sako. 

Ajo përfundoi duke theksuar rëndësinë e projektit për qytetin e Durrësit. 

“Punojmë çdo ditë që profesionistët e së nesërmes ta shohin Durrësin si një qytet me plot mundësi, ku talenti vlerësohet, ambicia mbështetet dhe ku kontributi i secilit shndërrohet në vlerë për komunitetin tonë.” 

Pas një gare që mblodhi 41 ekipe shqiptare dhe ndërkombëtare, sot 5 ekipet finaliste prezantojnë vizionet e tyre për kampusin e ri universitar të Durrësit, një projekt që synon të krijojë një hapësirë moderne ku arsimi, kërkimi shkencor, inovacioni, sipërmarrja, kultura dhe jeta studentore ndërthuren në një ekosistem të vetëm zhvillimi.

Të pranishëm janë edhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, si dhe rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Shkëlqim Fortuzi.

Rektori në fjalën e rastit tha se dita e sotme është një pikë kthese në historinë e transformimit të Universitetit të “Aleksandër Moisiu”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme