Program i ri masteri në inovacion social- Prezantohet projekti, i hartuar në bashkëpunim me Universitetin e Bolonjës

Arsim | 3 muaj më parë

Një program i ri masteri do të hapet këtë vit të ri akademik, i cili do të drejtohet nga Fakulteti i Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës, në bashkëpunim me Universitetin e Bolonjës. Programi do të pranojë 25 studentë dhe synon të formojë specialistë të inovacionit social, të aftë për të hartuar, menaxhuar dhe vlerësuar politika që adresojnë sfidat sociale bashkëkohore.

“Bëhet fjalë për një master në inovacion social, i cili do të zhvillohet për herë të parë tërësisht në Universitetin e Bolonjës. Ajo që e bën edhe më të veçantë është fakti se ky program del nga kornizat tradicionale të mësimdhënies, duke u fokusuar më shumë te trajnimi praktik i studentëve.”

Programi do të përgatisë profesionistë që do të kontribuojnë në zhvillimin e politikave dhe iniciativave inovative në administratën publike, organizatat e shoqërisë civile dhe sektorin privat.

“Ky master përfaqëson një nga format më të avancuara të bashkëpunimit akademik, jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe në nivel europian. Siç u përmend edhe nga kolegët, ai shkon përtej kornizave tradicionale që kanë përcaktuar deri më tani mënyrën e bashkëpunimit në programet e nivelit master. Programi synon të krijojë një model të ri bashkëpunimi akademik, duke ndërthurur ekspertizën e institucioneve partnere dhe duke ofruar mundësi më të gjera për studentët.”

Programi përfaqëson një mundësi të rëndësishme për studentët dhe profesionistët e rinj që dëshirojnë të angazhohen në fushën e inovacionit social dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Gazetare: Keti Toroveci

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme