Punësimi i studentëve, Bajramaj: Në fund të programit master pjesa më e madhe e të rinjve është e punësuar
Vështirësitë për të gjetur një vend pune brenda profilit, por edhe pamundësia për të plotësuar të gjitha nevojat, shpesh i detyrojnë studentët të nisin kërkimet për të siguruar punësim që kur janë ende në shkollë.
Zv/dekania e Fakultetit Ekonomik, Etleva Bajramaj, sqaron se është institucioni i arsimit të lartë ai që luan rolin kryesor në orientimin e të rinjve drejt tregut të punës.
“Fakulteti i Ekonomisë ka Zyrën e Karrierës ku studentët drejtohen dhe merret drejtpërdrejt me këtë pjesë. Megjithatë kjo është një punë e vazhdueshme e institucionit me anë të lidhjeve të marrëveshjeve të bashkëpunimit me kompani apo shoqëri financiare, jofinanciare apo institucione publike. Në programet e studimit, qoftë në bachelor edhe në master, e kemi të detyrueshme praktikën mësimore, që do të thotë studenti duhet patjetër ta kryejë praktikën dhe shfrytëzohen të gjitha këto marrëveshje që ata të realizojnë praktikat. Gjatë zhvillimit të praktikës një pjesë e madhe e tyre punësohen.”
Bajramaj sqaron se në vitet e para studentët punësohen edhe jashtë profilit, ndërsa në master ata kërkojnë me patjetër një vend pune që t’i përshtatet programit të tyre të studimit. Pjesa më e madhe e studentëve të Fakultetit Ekonomik, në përfundim të masterit, rezultojnë të sistemuar në një vend pune.
“Studentët këtu, kur japin informacionin, janë pak më skeptikë për ta dhënë, sepse jo të gjithë janë të punësuar në profilin e tyre. Ne na thonë që jemi në profil, janë mbi 40%. Flasim për bachelorin, ndërsa me të diplomuar ata janë në masën 90% në profil. Ndërsa studentët e masterit i kemi thuajse të gjithë të punësuar.”
Një ndër praktikat e përdorura më së shumti nga fakultetet për punësimin e studentëve është organizimi i panaireve, ku kompanitë paraqesin ofertat, ndërsa studentëve u jepet mundësia të përzgjedhin ato vende pune për të cilat plotësojnë kriteret dhe përmbushin, nëpërmjet aftësive profesionale, të gjitha kërkesat e tyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





