Saranda mirëpret fluks vizitorësh, turistët e huaj zgjedhin shijet tradicionale shqiptare

Aktualitet | 3 muaj më parë

Sezoni turistik ka nisur me ritme të larta në Sarandë, ndërsa numri i turistëve po shënon rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Administratorët e bizneseve në qytet raportojnë se fluksi i vizitorëve po shtohet nga muaji në muaj, duke sjellë më shumë gjallëri në sektorin e turizmit dhe shërbimeve.Sipas përfaqësuesve të bizneseve, turistët e huaj po tregojnë interes të veçantë për produktet dhe ushqimet tradicionale shqiptare.

“Turistët e huaj po tregojnë interes të veçantë për produktet dhe ushqimet tradicionale shqiptare. Ata duan të provojnë pjatat tona tradicionale, të cilat janë ndër preferencat e tyre kryesore. Sigurisht, peshku mbetet zgjedhja më e kërkuar, pasi Saranda është një destinacion bregdetar. Fluksi i vizitorëve ka nisur më herët këtë sezon dhe deri tani situata paraqitet shumë e mirë”, tha Donald Aliko, përgjegjës turizmi.

Për të përballuar rritjen e kërkesës gjatë sezonit turistik, bizneset kanë investuar jo vetëm në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, por edhe në zgjerimin e stafit. Për shkak të mungesës së fuqisë punëtore vendase, shumë subjekte janë pajisur me punonjës të huaj, kryesisht nga vendet e Azisë dhe India, të cilët po kontribuojnë në mbarëvajtjen e aktivitetit turistik gjatë muajve të verës.

Ndërsa vera avancon, pritshmëritë e biznesit turistik në Sarandë mbeten pozitive. Rritja e numrit të vizitorëve dhe interesi i vazhdueshëm i turistëve për destinacionin pritet të ndikojnë në një sezon të suksesshëm, duke forcuar më tej rolin e qytetit si një nga pikat më të rëndësishme turistike në jug të Shqipërisë.

Gazetare: B.Pëllumbi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme