Destinacion i turizmit të gjelbër, vizitorët eksplorojnë Liqenin e Shkodrës me mjete jo- motorike
Bukuritë natyrore të Liqenit të Shkodrës po tërheqin një numër në rritje vizitorësh vendas dhe të huaj. Përveç shëtitjeve përgjatë bregut, turistët po zgjedhin gjithnjë e më shumë ta eksplorojnë liqenin përmes sporteve ujore me mjete jo motorike që po kthehen në një nga atraksionet kryesore të sezonit turistik. Këto aktivitete u japin vizitorëve mundësinë të shijojnë nga afër peizazhin, qetësinë dhe biodiversitetin e një prej pasurive më të rëndësishme natyrore të vendit.
“Vijmë nga India dhe liqeni i Shkodrës është një nga destinacionet kryesore të vizitës sonë në Shqipëri. Na ka pëlqyer shumë natyra dhe freskia që ofron liqeni. Tani duam ta eksplorojmë edhe më nga afër duke shëtitur me biçikleta uji dhe kanoe”, tha një turist.
“Kam dëgjuar edhe më parë për këtë liqen dhe e njoh sidomos nga videot në internet. Erdha ta shoh tashmë dhe më pëlqen shumë sepse mund të notosh edhe të lëvizësh me mjete të ndryshme si varka, padle dhe biçikleta ujë dhe dua ta shfrytëzoj këtë mundësi”, u shpreh një turiste.
Interesi në rritje për sportet ujore në liqen vlerësohet pozitivisht edhe nga aktivistët e mbrojtjes së mjedisit. Sipas tyre, përdorimi i mjeteve jo motorike ndihmon në ruajtjen e ekosistemit, duke shmangur ndotjen, zhurmën dhe efekte te tjera që dëmtojnë habitatet natyrore.
“Këtu dua të theksoj që mjetet motorrike me fuqi të lartë dhe shpejtësi të lartë janë të ndaluar rreptësishtë në një zonë të mbrojtur pasi sjellin shqetësim për shpendët. Prandaj edhe liqeni i Shkodrës është edhe zonë e mbrojtur dhe pikërisht përdorimi i kanoave, biçikletave të ujit janë konsideruar mjete ekologjike”, tha Aurora Piroviq, aktiviste në mbrojtje të mjedisit.
Liqeni i Shkodrës është shpallur së fundmi Rezervë e Biosferës nga UNESCO, status ky që rrit përgjegjësinë për mbrojtjen e ekosistemit edhe përmes turizmit të gjelbër qe shihet si modeli më i mirë për të ruajtur dhe promovuar këtë pasuri natyrore.
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





