Shtohen kontrollet në turizëm, Muçaj: 40 % e subjekteve probleme me informalitetin

Aktualitet | 3 muaj më parë

Inspektorati Shtetëror i Punës ka hartuar një plan të posaçëm masash për sezonin turistik, me synim garantimin e respektimit të të drejtave të punonjësve.  Gjatë muajit qershor, nga 342 subjekte të kontrolluara 135 prej tyre janë gjetur në shkelje të legjislacionit, si punësimi informal, deklarim jo i plotë i pagave, shkeljeve të orarit të punës, si edhe punësimit të të miturve në kundërshtim me ligjin.

“Ky plan masash ka të bëjë me inspektime të shtuara dhe është i shtrirë në një periudhë disa mujore ku në planet tona të inspektimit rreth 70% e inspektimeve janë të targetuara në sektorin e turizmit. Ky plan masash ka filluar që në muajin maj, ku në muajt e parë, maj dhe qershor kryesisht janë inspektuar ato struktura që janë më të konsoliduara, pra hotelet edhe rezoret e mëdha dhe në dy muajt e ardhshëm përqëndrimi i inspektimeve do të jetë kryesisht në ato struktura që janë më sezonale”, deklaroi Eljo Muçaj Drejtor, Inspektorati i Punës.

Gjithashtu, drejtori Eljo Muçaj ka një apel për të gjitha bizneset në zonat turistike.

“Të tregojnë kujdes të shtuar në zbatimin e legjislacionit të punës, pasi në rast të moszbatimit Inspektorati i Punës do të jetë i detyruar që të marri masat e nevojshme përfshirë edhe sanksione të cilat fillojnë nga 10 fishi i pagës minimale por që mund të shoqërohen dhe me pezull aktivitetit deri në një formalizim të marrëdhënies së punës”, shtoi Muçaj.

Sipas Muçajt, për të gjitha bizneset e gjetura në shkelje është marrë masë administrative, 80% me paralajmërim, 18 % pezullim aktiviteti dhe 2 subjekte janë gjobitur me 2 milion lekë.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme