Iu rrezikua jeta në det, policia detare shpëton 9 turistët

Aktualitet | 2 muaj më parë

Shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësitë Policore Detare u kanë shpëtuar jetën e 9 turistëve të huaj në dy incidente të ndryshme të ndodhura gjatë ditës së sotme në bregdetin shqiptar.

Në incidentin e parë, në zonën e Filikurit në Himarë, një shtetase spanjolle lajmëroi autoritetet se i fejuari i saj, shtetasi spanjoll A.G., ishte në vështirësi në det pasi kajaku me të cilin po lundronte u fundos.

Shërbimet e Policisë Kufitare organizuan menjëherë operacionin e kërkim-shpëtimit. Falë ndërhyrjes së shpejtë, turisti u lokalizua, u nxor nga uji dhe u transportua në mënyrë të sigurt në Pikën e Kontrollit Kufitar Himarë. Jetën e tij u shpëtua pa pasoja.

Në incidentin e dytë, rreth orës 12:45 në Ksamil, 8 turistë brazilianë (anëtarë të së njëjtës familje) u ndodhën në rrezik kur skafi plastik me të cilin po lundronin filloi të fundoset prapa zonës së njohur si “Tre Ishujt”.

Ekuipazhet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë me gomone dhe jet-ski, duke shpëtuar të gjithë turistët dhe duke rimorkuar mjetin lundrues drejt plazhit “Puerto Rico” në Ksamil.

Të dy operacionet u përmbyllën me sukses të plotë, pa pasoja për jetën apo shëndetin e turistëve. Të shpëtuarit shprehën mirënjohjen e thellë dhe falënderimet për profesionalizmin, gatishmërinë dhe efikasitetin e forcave policore.

Njoftimi i plotë:

Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare u vijnë në ndihmë 9 turistëve të huaj, në dy raste të ndryshme në Himarë dhe Ksamil, duke shmangur pasoja për jetën e tyre.

Reagimi i menjëhershëm dhe profesional i shërbimeve të Policisë Kufitare bëri të mundur shpëtimin e 9 turistëve të huaj, në dy raste të ndryshme të ndodhura gjatë ditës së sotme, në Himarë dhe Ksamil.

Në Himarë, pas njoftimit të marrë nga një shtetase spanjolle se i fejuari i saj, shtetasi spanjoll A. G., kishte mbetur në vështirësi në det, në zonën e Filikurit, pasi kajaku me të cilin po lundronte ishte fundosur, shërbimet e Policisë Kufitare organizuan menjëherë operacionin e kërkim-shpëtimit.

Brenda një kohe të shkurtër u bë i mundur lokalizimi i tij, nxjerrja nga uji dhe transportimi në mënyrë të sigurt pranë Pikës së Kontrollit Kufitar Himarë, duke shmangur pasoja për jetën.

Në Ksamil, rreth orës 12:45, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë për t’u ardhur në ndihmë 8 turistëve brazilianë, pjesëtarë të së njëjtës familje, pasi mjeti i tyre lundrues, tip skaf plastik, rrezikonte të fundosej në zonën prapa vendit të quajtur “Tre Ishujt”.

Falë ndërhyrjes së shpejtë me gomone dhe jet ski, të gjithë turistët u shpëtuan, ndërsa mjeti lundrues u rimorkua në mënyrë të sigurt drejt plazhit “Puerto Rico”, në Ksamil.

Të dyja ndërhyrjet u përmbyllën me sukses, pa pasoja për jetën apo shëndetin e turistëve, të cilët shprehën mirënjohjen dhe falënderimet e tyre për profesionalizmin, gatishmërinë dhe reagimin në kohë të shërbimeve të Policisë Kufitare.

Policia Kufitare mbetet maksimalisht e angazhuar për garantimin e sigurisë së jetës në det dhe apelon për respektimin e rregullave të lundrimit, përdorimin e mjeteve të sigurisë, si dhe shmangien e lundrimit në zona që paraqesin rrezik.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme