Arkitektura publikon datën e konkursit të pranimit, maturantët do të testojnë njohuritë në 4 drejtime kryesore
Konkurset e pranimit për programet e studimit të ofruara nga Fakulteti i Arkitekturës do të zhvillohen më 19 gusht në Pallatin e Kongreseve, por më parë maturantët e interesuar duhet të kryejnë procesin e regjistrimit për të bërë të mundur pjesëmarrjen në konkurs.
Zv.dekania e këtij fakulteti, Ani Panariti, sqaron se për 3 programet e studimit të këtij fakulteti, arkitekturë, urbanistikë dhe dizajn, janë ofruar 180 kuota, ndaj, ashtu si çdo vit, edhe sivjet pritet që kërkesat të jenë të larta.
“Testi do të jetë një i vetëm për të tre programet dhe, në bazë të përzgjedhjeve që ai ka bërë dhe pikëve që do të marrë, renditet sipas portalit. Programi i arkitekturës, ai i urbanistikës dhe i interior design kanë kërkesë mjaft të lartë. Tregu kërkon jashtëzakonisht shumë. Pra, ka një treg pune jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe në nivel ndërkombëtar. Dhe fakti është që, duke qenë se arkitektura tek ne është pjesë e një programi politeknik, të mbarosh një diplomë në Politeknikë të jep një gamë mjaft të gjerë të mundësive të punësimit”, tha Panariti.
Testimi do të zgjasë 2 orë dhe kandidatët për studentë do të testojnë njohuritë në 4 drejtime kryesore.
“Janë 60 pyetje dhe këto 60 pyetje ndahen në 25% për secilën komponentë. Njëri nga komponentët është arsyetimi logjik, i cili ka të bëjë me matjen e inteligjencës. 25% e pyetjeve kanë të bëjnë me vizatimin teknik, që është një nga pikat kryesore të formimit të një arkitekti. 25% janë njohuri të përgjithshme dhe 25% të tjera janë historia e artit dhe historia e arkitekturës. Pra, një maturant i cili ka një mesatare të marrë me forcat e tij, testin e pranimit besoj se e realizon mjaft mirë”, tha ajo.
Testimi përkthehet me 60% të totalit të pikëve, ndërsa 40% të tyre i merr mesatarja e 3 viteve të shkollës së mesme dhe e provimeve të Maturës Shtetërore. Përllogaritjet përfundimtare bëhen në fund të muajit gusht, ku çdo maturant njihet me renditjen përfundimtare, shikon pozicionin e tij në listë dhe mundësitë që ka për t’u klasifikuar fitues.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





