Program i ri master në Arkitekturë, Panariti: Kërkesa të larta, po shqyrtohet mundësia për diplomë të dyfishtë

Arsim | 2 muaj më parë

Arkitekturë, Interier dhe Dizajn do të jetë programi i ri master që do të hapet këtë vit të ri akademik në Fakultetin e Arkitekturës. Zv. dekania e këtij institucioni të arsimit të lartë, Ani Panariti, sqaron se ky program ka ardhur si pasojë e kërkesave të studentëve për profilizim në këtë degë.

“Për këtë vit akademik 2026-27 na është aprovuar masteri Arkitekturë, Interier dhe Dizajn. Është një master shkencor me 120 kredite dhe, në fakt, është një vazhdim i studimeve bachelor, Arkitekturë, Interier, Dizajn. Të gjithë këta studentë, të cilët diplomohen në bachelor, por dhe studentë të tjerë që kanë mbyllur një cikël tjetër studimesh, kanë të drejtë të aplikojnë për këtë master shkencor”, tha ajo.

Panariti sqaron se po shihet mundësia të ofrohet një diplomë e dyfishtë në këtë program.

“Akoma është në pritje, duke dhënë një mundësi që vitin e fundit të diplomës ata ta zhvillojnë me një dopëdiplomë në universitetin pritës dhe nga Universiteti në Peruxhia të vijnë dhe në rastin në fakultetin tonë”, tha ajo.

Arkitektura është një ndër degët më të kërkuara ndër vite, pasi klasifikohet si një nga programet me perspektivë të lartë punësimi.

“Tregu kërkon jashtëzakonisht shumë, pra ka një treg pune dhe ka një treg pune jo në nivel kombëtar, por dhe në nivel ndërkombëtar. Dhe fakti është që, duke qenë që arkitektura tek ne është pjesë e një programi politeknik, të mbarosh një diplomë në politeknik të jep një diapazon mjaft të madh për punësimin, duke filluar që nga projektimi, nga pjesa e ndjekjes së projektit në kantier, zbatimit, menaxhimit”, tha Panariti.

Konkurset e pranimit për programet e studimit të ofruara nga Fakulteti i Arkitekturës do të zhvillohen më datën 19 gusht. Për 3 programet e studimit të këtij institucioni të arsimit të lartë, Arkitekturë, Urbanistikë dhe Dizajn, janë ofruar 180 kuota. Ashtu si çdo vit, edhe sivjet pritet që kërkesat të jenë të larta.

Gazetare: Keti Toroveci

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme