Pamje nga operacionet kundër zjarreve, 252 efektivë në terren. Situata kritike në Milot, Pukë e Vlorë

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka publikuar pamje nga operacionet për shuarjen e zjarreve në disa zona të vendit, ndërsa Forcat e Armatosura vijojnë të jenë të angazhuara në terren në mbështetje të komuniteteve dhe strukturave vendore.
“Forcat e Armatosura, të angazhuar intensivisht dhe krah komuniteteve në përballimin e situatave të zjarreve”, shkruan Nufi, duke bërë të ditur se gjatë natës që lamë pas efektivët e Forcës Tokësore kanë vijuar operacionet në Milot, Pukë dhe Vlorë.
Sipas ministrit, gjatë ditës së sotme janë 252 efektivë të Forcave të Armatosura të angazhuar në terren, të mbështetur me mjete dhe kapacitete ajrore.
View this post on Instagram
Situata vijon të jetë problematike në Pukë, veçanërisht në zonën Gojan–Gjegjan. Problematike paraqitet situata në Gojan të Vogël, ku flakët po përparojnë në drejtim të zonave të banuara.
Terreni i vështirë dhe mungesa e aksesit rrugor po e bëjnë më të vështirë ndërhyrjen e mjeteve tokësore. Për këtë arsye, në zonë po punohet edhe nga ajri, me dy helikopterë që janë angazhuar në operacionin për shuarjen e flakëve.
Ndërkohë, në Gojan të Madh, situata paraqitet aktualisht më e qetë, megjithatë vijon monitorimi i zonës për të parandaluar përhapjen e zjarrit.
Një tjetër vatër e madhe zjarri është aktive në zonën mbi fshatin Dukat në Vlorë. Flakët janë përhapur gjatë natës në një sipërfaqe të konsiderueshme, në drejtim të malit të Çikës.
Për zjarrin dyshohet se mund të jetë i qëllimshëm, ndërsa situata po monitorohet nga strukturat përgjegjëse dhe ekipet e angazhuara për shuarjen e tij.
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 20 vatra zjarri në territorin e vendit. Nga këto, 9 vatra vijojnë të jenë aktive, ndërsa një tjetër është në monitorim.
Situata mbetet në monitorim, ndërsa prioriteti i ekipeve të emergjencave është frenimi i përhapjes së flakëve pranë zonave të banuara dhe mbrojtja e komuniteteve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




