PDK shqyrton dërgimin e Albulena Haxhiut në gjykatë për statusin e ushtrueses së detyrës si Presidente

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po shqyrton zyrtarisht mundësinë e adresimit në gjykatë të çështjes që lidhet me statusin ligjor të Albulena Haxhiut si ushtruese e detyrës së presidentes.
Deklaratën e bëri Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, i cili ngriti dilema serioze juridike mbi përputhshmërinë e këtij funksioni pas zgjedhjes së saj si deputete në Kuvendin e Kosovës.
Sipas Tahirit, ekipet e juristëve të partisë po përgatisin lëvizjet ligjore për të qartësuar nëse mbajtja e disa posteve njëkohësisht përbën shkelje të normave konstitutive.
“Ne kemi konsideruar që zonja Haxhiu nuk është ushtruese e detyrës së presidentit për shkak se është zëvendësuese e kryeministrit. Shkon e udhës që ne t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese edhe për të ardhmen me u sqaru se kur ushtruesi i detyrës së presidentit votohet si deputet a i pushon detyra, edhe a mbetet vakante pozita,” u shpreh Tahiri.
Kallëzime penale dhe paralajmërime për rezistencë politike
Përveç adresimit në Kushtetuese për postin e udhëheqjes së shtetit, PDK bëri me dije se po punon edhe për hapa të tjerë juridikë ndaj zyrtarëve që ushtrojnë paralelisht funksione ekzekutive e legjislative. Tahiri theksoi se po përgatiten kallëzime penale për rastet ku, sipas tij, po ushtrohet në mënyrë të jashtëligjshme detyra e ministrit, kryeministrit dhe deputetit.
Sa i përket bllokadës politike dhe zgjedhjeve të njëpasnjëshme, përfaqësuesi i PDK-së kritikoi qasjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke garantuar se opozita nuk do të pranojë kushtëzime.
“I ke votat për Kuvend i ke, për qeveri i ke, për president nuk mundesh se s’ke komplet me i pas në dorë. Andaj secili opsion është i mundur, është i hapur, po vetëm nënshtrimi le ta harrojnë që është opsion për neve. Do të rezistojmë,” nënvizoi ai.
PDK nënvizioi se mbrojtja e funksionimit demokratik të institucioneve mbetet prioriteti kryesor në këtë përplasje ligjore e politike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




