“Shkodra ka plot dashuri”, humor, muzikë dhe emocione në skenën e teatrit “Migjeni”

Kulturë | 2 orë më parë

“Shkodra ka plot dashuri” është premiera që do të ngjitet në skenën e teatrit “Migjeni” më 23 shtator. Varieteja, me regji të Zehrudin Dokles, sjell një kombinim të artistëve të rinj dhe emrave të njohur të skenës shkodrane.

Në provat e fundit gjenerale, gjithçka ishte gati për përballjen e parë me publikun. Regjisori Zehrudin Dokle bën të ditur se shfaqja mbështetet në një material me shumë humor, për t’u dhënë spektatorëve një mbrëmje larg problemeve të përditshme.

Do të paraqesim para publikut të mrekullueshëm premierën “Shkodra ka plot dashuri”. Në këtë premierë jemi munduar të bëjmë një kombinim mes artistëve të shquar dhe këtyre të rinjve që shikoni. Jemi mbështetur edhe në një material shumë të mirë, me shumë humor, me shpresë që spektatori të qeshë pa frena”, u shpreh regjisori Zehrudin Dokle.

Pjesë e shfaqjes janë edhe artistë të rinj, të cilët përjetojnë emocionet përpara  publikut shkodran përmes një eksperiencë të veçantë artistike.

Dalja në skenë gjithmonë ka emocione. Si proces puna ka qenë një punë shumë e bukur, shumë e këndshme. Ishte shumë fat për ne”, tha këngëtarja Ketlin Pjalmi.

Si hera e parë që kam punuar me profesor Zehrudin Doklen është një kënaqësi dhe një nderë aq më tepër të bashkëpunosh me artistët që kanë shumë emër në Shkodër”, tha këngëtarja Savjana Vjerdha.

Aktori Fritz Selmani e konsideron daljen në skenë si një provim të ri, duke shpresuar që materiali dhe bashkëpunimi mes brezave të priten mirë nga publiku.

Jam shumë i lumtur, jam shumë i emocionuar. Ky profesioni ynë është i vështirë, se je në çdo shfaqje, je në provim. Nuk e di se si pritet, por ama besoj se edhe me materialet që keni, të cilat prekin shumë përditshmërinë tonë, shpresoj shumë që publiku ta mirëpresë. Me këngë dhe interpretim”, tha aktori, Fritz Selmani.

Me humor, këngë dhe interpretim, “Shkodra ka plot dashuri” synon të sjellë në skenën e “Migjenit” atmosferën e varietesë dhe një mbrëmje të mbushur me argëtim.

Gazetar: V. Omari

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme