Orkestra e RTSH hap sezonin e ri, Blerta Ristani: Cikli i Çajkovskit, sfida kryesore

Kulturë | 56 minuta më parë

Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar ka nisur sezonin e ri artistik me një koncert më 15 shtator, ndërsa një program i pasur muzikor pritet të shoqërojë orkestrën gjatë muajve në vijim. E ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, drejtoresha artistike e Orkestrës Simfonike të RTSH-së, Blerta Ristani, tha se sezoni ka nisur mbarë dhe se instrumentistët janë rikthyer të përgatitur pas periudhës së pushimeve. Një nga koncertet e radhës do të zhvillohet më 26 shtator dhe do t’i kushtohet tërësisht muzikës spanjolle. Në këtë koncert do të interpretojnë edhe dy këngëtarë lirikë, Bela Marian dhe Rubena Moreti, ndërsa dirigjent do të jetë Fakundo Agudin.

Ristani bëri të ditur gjithashtu se me dirigjentin Agudin është konceptuar një cikël i veçantë koncertesh përgjatë sezonit. Pas suksesit të ciklit të simfonive të Beethovenit, ku gjatë sezonit të kaluar u interpretuan nëntë simfonitë e kompozitorit, këtë vit sfida do të jetë muzika e Çajkovskit.

Koncerti i 26 shtatorit do të jetë fantastik, shumë i bukur, këtë ia siguroj publikut. Ky koncert ka një program shumë interesant, me muzikë tërësisht spanjolle, dhe janë të ftuar dy këngëtarë lirikë, Bela Marian dhe Rubena Moreti. Sezoni filloi mbarë me këtë koncert dhe do të vazhdojë në mënyrë intensive çdo javë deri në dhjetor. Pjesën më të rëndësishme të këtij sezoni e merr në fakt ky cikël i simfonive të Çajkovskit”, u shpreh Ristani, duke theksuar se në fund të vitit nis edhe puna intensive për festivalin. Sipas saj, realizimi i një cikli të plotë simfonish përbën një sfidë të rëndësishme për orkestrën, veçanërisht për shkak të shkallës së vështirësisë që rritet nga një vepër në tjetrën. Për muzikantët, kjo do të thotë një periudhë intensive përgatitjeje dhe pune me instrumentet. Ristani, e cila ka eksperiencë edhe si instrumentiste, e krahasoi marrëdhënien e muzikantit me instrumentin me një “sëmundje të bukur”, duke theksuar se instrumenti bëhet pjesë e pandarë e jetës së tyre, edhe gjatë pushimeve.

Drejtoresha artistike foli edhe për emocionin që sjell interpretimi i veprave të Çajkovskit, duke veçuar temat e fuqishme dhe muzikën e pasur emocionale të kompozitorit.

“Të realizosh një cikël simfonish të një kompozitori, aq më tepër të një kompozitori shumë të famshëm, është një sfidë e vërtetë. Edhe kompozitorët vetë shkruajnë nga materiali i parë, nga simfonia e parë, për shembull, deri te e gjashta. E gjashta është një mrekulli e madhe, por shkalla e vështirësisë gjithmonë është në rritje. Kjo më jep shumë kënaqësi, të them të drejtën, dhe gjithashtu edhe orkestrantëve dhe muzikantëve u jep shumë kënaqësi, sepse janë sfida me të cilat përballen vetë. Janë gjithmonë ‘on top’ në llojin dhe formën e tyre dhe kjo i bën të studiojnë, ta kenë instrumentin gjithë kohës në dorë. Sigurisht që kënaqësia finale vjen në skenë, kur ti kënaq publikun, por në fakt edhe vetë merr shumë emocion. Shumë shpesh, kur kam luajtur simfonitë e Çajkovskit, jam përlotur. Ka tema kaq fantastike, kaq të bukura, sa është e pamundur që t’i përmbash emocionet”, u shpreh ajo.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme