“Shkodra – djepi i muzikës shqiptare”, një mbrëmje simfonike në homazh të kompozitorëve shkodranë
Teatri “Migjeni” u kthye në skenën e një mbrëmjeje kushtuar muzikës shkodrane dhe figurave që kanë lënë gjurmë në kulturën shqiptare. Koncerti simfonik “Shkodra – Djepi i Muzikës Shqiptare”, i organizuar nga shoqata “Dora e Pajtimit”, solli për publikun krijime të Çesk Zadesë, Pjetër Gacit, Avni Mulës, Tonin Harapit, Gjon Simonit dhe Zef Çobës.
Mbrëmja u drejtua nga dirigjenti Fabio M. Rocchi, ndërsa në piano interpretoi Kristina Petrollari. Në skenën e “Migjenit” u ngjit edhe sopranoja Erjona Gjyzeli, e cila solli dy prej pjesëve të njohura të repertorit shqiptar.
“Pjesë i parë i formimit tim ka qenë Itali, por tani kam përfunduar në Shqipëria. Kështu që janë veprat që kam studiuar”, tha dirigjenti Fabio M. Rocchi.
“Vërtetë jeni një qytet me fat, shkodran me fat që keni kompozitorët më të mëdhenj të muzikës shqiptare. Tonina Rapi dhe Çezadea kanë qenë dy profesorë, fatmirësisht i kam arritur që na jepnin jo vetëm ato njohuritë e tyre me temat e tyre fantastike, por ishin dhe dy njerëz të bekuar. Ne në shkollën tonë në Universitetin e Arteve përpiqemi shumë që muzika shqiptare të vazhdojë atë traditë që ka pasur” u shpreh pianistja Kristina Petrollari.
“Është edhe një obligim akoma më shumë që të përçojmë muzikën e tyre në publikun e dashur shkodran në këtë teatër që vërtetë është aq e ngrohtë, aq frymëzues për secilin nga ne”, tha soprano Erjona Gjyzeli.
Përmes tingujve të muzikës simfonike, koncerti riktheu në vëmendje traditën e pasur muzikore të Shkodrës dhe kontributin e kompozitorëve që kanë ndërtuar historinë e muzikës shqiptare.Një mbrëmje që bashkoi emrat e njohur të muzikës me publikun shkodran, në një homazh për një prej qyteteve me traditën më të spikatur muzikore në vend.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




