TIFF 2026 rikthen njeriun në qendër, më shumë se 230 ofertë filmike në konkurrim nga 70 vende të botës

Kulturë | 41 minuta më parë

Ditët e fundit të këtij shtatori rikthejnë në edicionin e tij të 24-t Tirana International Film Festival. Më shumë se 230 oferta filmike në konkurrim nga 70 vende të ndryshme të botës do të nisin këtë rrugëtim artistik. Agron Domi, Drejtor i Festivalit, ndan për publikun e gjerë detaje të këtij festivali, ku mbizotëron fryma njerëzore, si në filmat e përzgjedhur në kompeticion, ashtu edhe në programet speciale. Filmi “Mother“, prodhim i Maqedonisë së Veriut, hap festivalin, ndërsa „Shame and Money“ do të jetë premierë.

“Do të kemi rreth 230 filma, të cilët janë të shpërndarë një pjesë në competition. Programi klasik i TIF-it, filmat debutues, filmat dokumentarë dhe filmat e shkurtër, ku midis tyre spikasin ato që janë të vlefshëm për t’u nominuar për Oscar dhe për European Film Awards”, tha Domi.

Për shtatë ditë, nga 21 deri më 27 shtator, Tirana do të bëhet sërish një hapësirë takimi për kinemanë shqiptare dhe ndërkombëtare, ndërsa HUMANOGRAPHY nuk është thjesht një temë e festivalit.

“Këtë vit kemi pasur dhe një prodhimtari më të lartë sesa vitet e tjera. Kështu që kemi dhe filma të gjatë që ne i quajmë made in Albania. Pra, prodhime në shqip që vijnë edhe këto nga Shqipëria dhe Kosova. Programet speciale këtë vit janë shumë interesante, që nga fillimi i festivalit të hapim me një film, ‘Mother’, që është një film i frymëzuar nga jeta e Nënë Terezës. Prodhim nga Maqedonia e Veriut, i cili ka pasur vjet premierën në Venecia. Regjisorja dhe producentja e filmit do të kenë edhe masterclass për të interesuarit e kinematografisë“, tha ai.

Krahas filmave, ky edicion i sivjetshëm do të sjellë masterclass-e, ekspozita, workshop-e, aktivitete të industrisë dhe programe të veçanta.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme