Dy programe të reja master në Korçë, Universiteti “Fan Noli“ zgjeron ofertën akademike

Arsim | 1 orë më parë

Këtë vit akademik universiteti Fan Noli në Korçë vjen me një ofertë të re akademike edhe në programet master.

Me çeljen e dy programeve të reja të ciklit të dytë, ky universitet ka rritur edhe më tej interesin e studentëve për shkak të përshtatjes së këtyre programeve me tregun e punës. Bëhet fjalë për programet master i shkencave në shkenca kompjuterike, si dhe programi turizmi smart dhe zhvillimi rajonal.

Këtë vit, ndryshe nga vitet e tjera, vijmë me një risi për sa i përket programeve të reja të çelura. Do të theksoja programin e studimit Master i Shkencave në Shkenca Kompjuterike. Është një program ndërkombëtar, i përbashkët me Universitetin e Aldo Moros, pra të Barit, të Italisë.

Gjithashtu, është edhe një master tjetër që u çel këtë vit akademik, pra është i ri për këtë vit akademik. Është Master në Turizëm Smart dhe Zhvillim Rajonal. Është një master që i përket edhe rekomandimeve të lëna nga ekspertët për transformimin e universitetit, që lidhen pra me tre profile: gjeografi, bujqësi dhe turizëm. Është një program që ka pasur interes që në momentin e aplikimit dhe të hapjes, sepse edhe studimi tregoi që kishte nevoja”, tha Artur prifti  Drejtor i Kurrikulës, Universiteti “Fan Noli“.

Aplikimet për programet e ciklit të dytë do të vijojnë deri në datën 5 tetor. Të gjithë ata që e kanë tashmë një diplomë bachelor mund të zgjedhin mes 27 programeve master që ofron universiteti Fan Noli, nga të cilat 13 janë master shkencor dhe 14 master profesional.

Gazetare: K. Koçi   

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme