Ankthi i fillimit të shkollës te fëmijët, terapistja: Komunikimi dhe mbështetja e prindërve, të rëndësishme

Arsim | 2 orë më parë

Rikthimi në bankat e shkollës nuk është i lehtë për të gjithë fëmijët. Për disa prej tyre, fillimi i vitit të ri shkollor mund të shoqërohet me shqetësim, frikë apo ankth. Terapistja e zhvillimit, Irena Danjolli, tregon se këto shqetësime mund të shfaqen në forma të ndryshme dhe prindërit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj ndryshimeve në sjelljen e fëmijëve.

“Duke qenë se përballen me diçka të re dhe me një ndryshim të rutinës, duke u kthyer nga pushimet e verës, fëmijët të gjithë ndiejnë ankth apo stres në fillim të shkollës. Në përgjithësi, vihet re shmangia për të shkuar në shkollë, dhimbje koke, dhimbje barku dhe këto janë simptoma që fëmija i ndien me të vërtetë në momentin që përjeton ankth apo stres”, tha Danjolli.

Prindërit këshillohen të krijojnë një komunikim të hapur me fëmijët, duke i dëgjuar dhe duke shmangur pritshmëritë e tepërta.

“E para dhe më e rëndësishmja është që nuk duhet t’i neglizhojnë apo t’i normalizojnë këto simptoma, ose të mos kenë besim kur fëmijët shprehin këto simptoma. Më pas është komunikimi dhe mbështetja e fëmijëve në shkollë. Komunikimi është më i rëndësishmi ndër të gjitha, sepse ajo është e vetmja mënyrë që mund ta qetësojë ose ta mësojë fëmijën të menaxhojë ankthin. Por, gjithashtu, kjo duhet të bëhet edhe para fillimit të shkollës. Fëmija duhet të jetë i parapërgatitur për atë që do të ndodhë”, apelon ajo.

Në këtë proces, mbështetja e vazhdueshme e prindërve mund ta ndihmojë fëmijën ta përjetojë shkollën me më shumë siguri dhe qetësi.

Gazetare: I. Bajraktari 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme