Tensione në Kuvend, ministrja Ismaili: Secili funksionar ka përgjegjësi individuale
Seanca plenare e Kuvendit vijon të zhvillohet me tensione, ku herë pas herë opozita mban të bllokuara foltore. Një nga momentet e tensioneve ishte edhe rasti ku deputeti i PD Flamur Noka tentoi t’i ndërpresë fjalën edhe Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Eriona Ismaili.
Nga foltorja, ministrja Ismaili i është përgjigjur akuzave të opozitës duke rikujtuar aktivitetin e ish-SHIK-ut gjatë periudhës së qeverisjes së Sali Berishës.
Ismaili akuzoi ish-strukturat e SHIK-ut se gjatë asaj periudhe kanë vepruar si një “polici politike”, duke përndjekur dhe dhunuar kundërshtarët.
“Nuk harrojnë shqiptarët, se nuk ka se si të harrojnë. SHIK, sot një temë që u përmend shumë, është një institucion që prej viteve ’90 ka përfaqësuar rënien e shtetit. S’kanë si ta harrojnë shqiptarët SHIK-un e atëhershëm si pushtet të pakufijshëm në duart e xhelatëve të Berishës, që përndiqte, dhunonte, vriste si polici politike dhe që s’jepte llogari askund. S’mund të harrohet SHIK-u i Gazidedes si drejtues famëkeq i operacionit të ’97-s për shtypjen e revoltave popullore. Përdorej SHIK për armiqtë dhe mbështetësit e tu, digjte redaksi gazetash, rrëmbente e dhunonte gazetarë”, tha ajo.
Lidhur me diskutimet mbi ish-kreun e SHISH Vlora Hysenit, ministrja Ismaili tha se sot vendi i ka pushtetet e ndara dhe se secili mban përgjegjësi individuale.
“Shtet pa shtet, si ky që keni qeverisur ju. Shteti që është shtet i ka pushtetet e ndara, ku secili funksionar ka përgjegjësi individuale. Ne luftojmë për pavarësinë e drejtësisë, ju luftoni drejtësinë”, tha Ismaili.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



