Barcelona nuk heq dorë nga Lautaro Martinez, Deco: Na pëlqen shumë si lojtar!

Futboll Bota | 1 orë më parë

Drejtori sportiv i katalanasve komenton zërat e merkatos në lidhje me sulmuesin argjentinas, duke dhënë detaje nga çfarë ndodhi në verë.

Interesi i Barcelonës për Lautaro Martinez trazoi Interin ditët e fundit të merkatos së verës. Katalanasit, pas “Jo”-së kategorike të Atletico Madrid për Julian Alvarez, kishin Lautaron në shënjestër. Argjentinasi shihej si pasardhësi ideal i Robert Lewandowski-t.

Interi refuzoi të shiste kapitenin, por, siç ka pohuar vetë sulmuesi (një nder të kërkohem nga disa klube, por nuk kam menduar të largohem nga Milano”) dhe siç deklaron tani Deco, bisedimet kanë qenë konkrete. “Lautaro është një lojtar spektakolar, një idhull tek Interi, kapiten dhe legjendë e klubit”, – është shprehur drejtori sportiv i gjigantëve spanjollë për “Sportitalia”.

Ish-mesfushori portugez jep më tej detaje të çështjes, që nuk shkoi në fazën finale: “Për respekt të lojtarit dhe klubit, sapo na u komunikua vullneti për të mos i hapur rrugën shitjes, u tërhoqëm. Ne përpiqemi t’i bëjmë gjërat gjithmonë në mënyrë korrekte dhe transparente. Shpesh shtypi spekulon me këto situata”.

Megjithatë, Deco lë të kuptohet se Lautaro Martinez vlerësohet shumë nga Barcelona, që mund ta tentojë sërish: “Kur ishim në kërkim të një sulmuesi me karakteristikat e duhura për ne, sigurisht që Lautaro ishte në listë. Kur drejtuesit folën dhe Interi nuk pranoi transferimin, nuk vazhduam. Nuk folëm as me lojtarin dhe as me agjentin. E kemi kërkuar, na pëlqen shumë si lojtar”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme