Brukseli pyetet për çështjen e SHISH, Zëdhënësi i BE: Nuk komentojmë hetimet, kemi besim te SPAK
Zëdhënësi i Komisionit Europian për Zgjerimin, Guillaume Mercier, shprehu besimin e Brukselit te SPAK për hetimin dhe ndjekjen penale të krimit të organizuar.
Kjo ishte përgjigjja e tij ndaj pyetjes së gazetarëve lidhur me çështjen e ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa “arrest në shtëpi”, ndërsa Mercier theksoi se Komisioni nuk komenton raste individuale në proces.
“Ne nuk komentojmë çështje që janë në proces, por ajo që mund të themi është se ne i ndjekim nga afër zhvillimet që lidhen me shtetin e së drejtës, veçanërisht reformat në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, fusha në të cilat Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm. Kemi besim të plotë tek aftësia e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur si SPAK, për të zbuluar, hetuar dhe ndjekur penalisht krimin e organizuar. Në një këndvështrim më të gjerë, ne jemi gjithmonë në kontakt me homologët shqiptarë”, tha Mercier.
Ai shtoi se vlerësimi më i gjerë i Komisionit Europian do të bëhet publik në raportin e ardhshëm për zgjerimin, që pritet të publikohet në javët në vijim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




