Mbarëvajtja e procesit mësimor në Shkodër, Prefektura koordinon institucionet për paketën e sigurisë
Pas nisjes së vitit të ri shkollor, institucionet në Shkodër po koordinojnë punën për garantimin e kushteve të sigurta për nxënësit dhe stafet pedagogjike.
Prefektja e Qarkut Shkodër, Holta Duda deklaron se po punohet me institucionet përgjegjëse për plotësimin dhe zbatimin e paketës së sigurisë në shkolla, me qëllim që procesi mësimor të vijojë normalisht.
“Ne realizuam madje, përpara pak ditësh, edhe takimin në kuadër të zbatimit të Paketës së Sigurisë në Shkolla, e cila pritet që të pasurohet edhe me disa elementë të tjerë shtesë sigurie, nga një marrëveshje e cila do të nënshkruhet nga katër ministritë përkatëse. Megjithatë, në vijim të zbatimit të Paketës së Sigurisë në Shkolla, praktikisht masat e ndërmarra nga bashkitë janë për të siguruar perimetrin e sigurisë në shkolla, për të siguruar kushtet e sigurisë për nxënësit, por edhe për personelin mësimdhënës”, tha ajo.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet shkollave ku aktualisht vijojnë punimet për rikonstruksion. Në terren janë angazhuar si Policia Bashkiake, ashtu edhe Policia e Shtetit, veçanërisht në zonat ku shkollat janë ende në proces rikonstruksioni.
Institucionet pritet të vijojnë monitorimin gjatë gjithë vitit shkollor, me fokus te siguria në mjediset arsimore dhe koordinimi mes strukturave, si dhe shtimin e oficerëve të sigurisë.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




