Chapecoense dhe Atletico Nacional, në fushë pas 10 vitesh nga rrëzimi i avionit

Futboll Bota | 2 orë më parë

Dhjetë vjet pas aksidentit ajror që shkatërroi Chapecoense dhe tronditi botën e futbollit, klubi brazilian dhe Atlético Nacional u ribashkuan në Medellín të Kolumbisë, për të festuar një miqësi të lindur nga tragjedia.

Në stadiumin Atanasio Girardot, ku ishte planifikuar të luhej ndeshja e parë e finales së Copa Sudamericana 2016 , ekipet barazuan 1-1, por rezultati u zbeh në një ditë kushtuar 71 viktimave të aksidentit ajror që ndodhi më 28 nëntor 2016.

Lojtarët e të dy ekipeve mbanin shirita në krahë me shkrimin “71 siempre presentes” (71 gjithmonë të pranishëm) dhe para fillimit të ndeshjes, ata u mblodhën në qendër të fushës për himnet kombëtare, pastaj pozuan së bashku për një foto simbolike.

Pas minutës së 10-të, ndeshja u ndërpre dhe turma u ngrit për të duartrokitur viktimat. Midis të pranishmëve ishte Hélio Neto, ish-lojtar i Chapecoense dhe një nga gjashtë të mbijetuarit e aksidentit.

“Shpresoj me gjithë zemër që kjo vëllazëri të zgjasë për shumë vite të tjera”, tha ai, duke falënderuar Atlético Nacional për mbështetjen e tyre pas katastrofës. Klubi kolumbian i kishte kërkuar Konfederatës së Amerikës së Jugut (CONMEBOL) t’i jepte Chapecoense titullin e Copa Sudamericana 2016, i cili më vonë u bë trofeu i vetëm ndërkombëtar i klubit brazilian.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme