Verë rekord në Lezhë, pushuesit në bregdet u rritën me 14% krahasuar me një vit më parë

Turizëm | 3 orë më parë

Sezoni veror i këtij viti ka shënuar rritje të numrit të pushuesve në bregdetin e Lezhës. Sipas të dhënave zyrtare të Bashkisë Lezhë, në plazhet e Shëngjinit dhe Tales janë regjistruar 14% më shumë pushues krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa gushti rezulton të ketë qenë muaji më i frekuentuar.

“Muaji gusht ishte muaji më i mirë i gjitha viteve. Vlerësohet nga operatorët turistikë një muaj që ka pasur një rritje rreth 20% krahasuar me vitin e 2025”, u shpreh Renaldo Xhanaj, Drejtor i Turizmit, Bashkia Lezhë

Pjesën më të madhe të turistëve e përbëjnë shqiptarët nga Kosova, duke zënë 65% të numrit të përgjithshëm. Ndërsa të huajt përbëjnë 20% të këtij numri.

“Krijimi i rrjetëzimeve me agjencitë turistike por dhe pjesëmarrje në panair siç ishim në Poloni po edhe në panairet e tjera, po shikojmë që ka edhe rritje të numrit të turistëve të huaj. huaj ku kryesojnë gjermanët, polakët, çekët edhe italianë”, tha ai.

Sipas Bashkisë Lezhë, promovimi i destinacioneve turistike, përmirësimi i shërbimeve dhe çmimet konkurruese kanë ndikuar në rritjen e interesit për bregdetin e Lezhës.

“Shëngjini po promovohet shumë, po edhe krejt Lezha me të gjitha atraksionet e saj. Kjo vjen edhe nga rritja e shërbimit për turizëm që po afrojnë operatorët turistikë”, tha ai.

Shëngjini dhe Talja kanë njohur zhvillim të vazhdueshëm gjatë viteve të fundit, ndërsa zgjerimi i kapaciteteve akomoduese ka rritur mundësitë për pritjen e një numri më të madh turistësh

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme