Raundi i dytë i regjistrimeve në universitete, Xhelaj: Rritet kërkesa për programet 2 vjeçare profesionale

Arsim | 2 orë më parë

Raundi i dytë i regjistrimeve nisi në fund të javës së shkuar duke i dhënë një tjetër shans të gjitha atyre studentëve që ende nuk e kanë bërë zgjedhjen e tyre.

Drejtori i rrjetit akademik Shqiptar Arjan Xhelaj ka sqaruar se për këtë raund kanë aplikuar mbi 6500 maturant dhe se do të mund të regjistrohen në programet që rezultojnë me ngjyrë jeshile deri më 4 tetor.

“Interesi më i madh ka qenë për shëndetin dhe inxhinieritë, përfshirë teknologjinë e informacionit, të cilat të dyja së bashku lëvizin diku rreth mbi 50%. Shpresoj që deri në fund të raundit të dytë, duke pasur parasysh numrin e regjistrimeve në raundin e parë, 16 mijë, dhe 65 mijë e 500 aplikantë në raundin e dytë, ta kalojmë shifrën 22 mijë”, u shpreh Xhelaj.

Vetëm në 2 fazat e para të këtij raundi janë regjistruar 40% e studentëve, ndërsa kërkesa më të mëdha janë drejtuar ndaj programeve të preferuara ku kanë mbetur ende kuota të lira nga raundi i parë, por edhe për programet 2 vjeçare profesionale.

“Në regjistrimet e raundit të dytë vërehet edhe rritja e interesit për programet dyvjeçare, gjë që ishte e pritshme. Po të marrim, për shembull, rastin e Universitetit të Durrësit, numrin më të lartë të regjistrimeve e ka Fakulteti i Shkencave Profesionale”, tha ai.

Në këtë raund të dytë kërkesë në rritje ka pasur edhe për programet për edukator.

“Shkencat e mësuesisë, përgjithësisht, kanë një ecuri të mirë. Vëmë re rastin e Universitetit të Durrësit, në Fakultetin e Shkencave të Edukimit, ku një nga programet e studimit është realizuar në masën 100% në këto dy raunde dhe kjo është dega e edukatorëve për moshën zero deri në tre vjeç”, theksoi Xhelaj.

Procesi i regjistrimit do të përmbyllet me raundin e tretë ku të gjithë aplikantëve u jepet mundësia  të regjistrohen në programet ku kanë mbetur kuota të lira nga 8-21 tetor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme