Kumbaro takim me drejtuesit e shkollave në Elbasan: Ndalim kategorik i telefonit në klasë, rritje e vigjilencës për çdo problematikë

Arsim | 1 orë më parë

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro në fjalën e mbajtur në takimin që zhvilloi me drejtuesit dhe mësuesit e Elbasanit, nënvizoi rëndësinë e komunikimit të shkollës me prindërit, zbatimin me rigorozitet të rregullave të ndalimit të telefonit në shkollë, si dhe rritjen e vigjilencës nga drejtuesit për çdo problematikë që haset në përditshmëri.

“Është shumë e rëndësishme që të komunikojmë të gjithë, jo vetëm me shkallë. T’i kapërcejmë nivelet dhe të sigurohemi që, me punët që bëjmë, biem dakord dhe bëjmë marrëveshjen e fjalës, që kuptojmë të gjithë të njëjtën gjë kur themi se si do ta bëjmë një punë. Ju, drejtorët e shkollave, jeni baza, garancia e suksesit, e menaxhimit, e sigurisë, e qetësisë, e cilësisë dhe, po çaloi puna juaj, gjithçka, edhe katet e sipërme, bien. Kemi detyrën më delikate, më të rëndësishme, më të pazëvendësueshme. Prandaj, ju jeni menaxherët e shkollës kur çalon çdo gjë në shkollë, ashtu sikurse jeni drejtuesit e suksesit kur shkolla ecën mirë.

Nuk ka telefona në klasë. Kjo duhet të jetë e rreptë në çdo shkollë. Nga të gjithë sondazhet që kemi bërë, edhe nga vetë fëmijët, sidomos ajo pjesë e fëmijëve që kanë interesa për shkollën, konfirmojmë që mospasja e telefonit në çantë gjatë orës së mësimit i çliron dhe i bën të përqendrohen më shumë. E konfirmojnë prindërit, e konfirmojnë edhe mësuesit. Teknologjia hyri, nuk e ndalojmë dot; gjithë çështja është që teknologjinë ta komandojmë ne dhe ta përdorim ne në ndihmë të punës”, theksoi Kumbaro.

Duke folur për platformën SMIP, Kumbaro vuri theksin te përdorimi në mënyrë intensive i teknologjisë në favor të punës.

“SMIP është rasti kur ne duhet ta përdorim në mënyrë intensive teknologjinë, duhet ta përdorim në mënyrë intensive në favor dhe në interes të punës tonë. Prindërit nuk kanë nevojë të vijnë deri në shkollë për të regjistruar fëmijët; i regjistrojnë në e-Albania dhe edhe këtu teknologjia na ndihmon”, tha ajo.

Ministrja e Arsimit i inkurajoi drejtuesit e shkollave, për shkolla më miqësore dhe më të hapura me komunitetin, për aktivitete nga nxënësit edhe përtej orarit mësimor. Duke vënë theksin te Matura Shtetërore, Ministrja Kumbaro ka kërkuar fillimin e testeve model për maturantët që në muajin dhjetor, me qëllim që ata të përgatiten edhe më mirë për provimet e Maturës.

“Në momentin që qeveria investon dhe ndërton terrene sportive, hapësira, ato nuk kanë kuptim të mbyllen në orën 13:00 apo 14:00 dhe t’u vihet dryni. Jo, ato janë investime publike edhe për komunitetin. Dhe këtë duhet ta koordinojë drejtori i shkollës me njësinë e qeverisjes vendore. Programi ‘Pas Shkolle’ është një hapësirë e re socializimi, edukimi, mundësie për të kuptuar personalitetin e fëmijëve në një tjetër mënyrë. Për gjimnazet, Matura Shtetërore: këtë vit testet me të cilat bëni provimet stërvitore t’i fillojmë që në dhjetor, të vazhdojmë me olimpiadat, që janë po aq të rëndësishme sa programi ‘Pas Shkolle’, se në një farë mënyre janë testime për njohuritë që marrin në klasë. Konkursit të gjuhës shqipe për klasat e nënta do t’i japim një frymë të re. Na rezultoi shumë i suksesshëm Festivali i Shkencës dhe unë mendoj që do të kemi një përfshirje më të mirë këtë vit të bashkive. Do të fillojmë dhe një lëvizje të re që do ta quajmë “Takohemi për një libër”, tha Kumbaro.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme