Siguria rrugore në Fier, 5 procedime penale dhe mbi 1 mijë masa administrative
Policia Rrugore e Fierit ka intensifikuar kontrollet në akset rrugore dhe pikat hyrëse-dalëse të qytetit, me fokus parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.
Gjatë javës së fundit janë proceduar penalisht 5 shtetas për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Një prej tyre është arrestuar për drejtim automjeti në gjendje të dehur, ndërsa tre të tjerë janë proceduar për drejtim të mjetit pa leje drejtimi. Një prej këtyre të fundit është arrestuar, ndërsa dy janë proceduar në gjendje të lirë.
Gjithashtu, një shtetas është proceduar penalisht për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, me pasojë një aksident.
Gjatë kontrolleve parandaluese në rrugët urbane, interurbane dhe lokale janë vendosur 1,186 masa administrative. Prej tyre, 989 masa janë për tejkalim të shpejtësisë në rrugët interurbane dhe autostradën A2, 40 për mospërdorimin e rripit të sigurimit, 4 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, 35 për parakalim të gabuar dhe 6 për drejtim automjeti nën efektin e alkoolit.
Po ashtu, 112 masa administrative janë vendosur për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor, të cilat përbëjnë burim potencial për aksidente.
Kontrollet kanë vijuar edhe për mjetet që kryejnë transportin e nxënësve. Gjatë kësaj jave janë vendosur 3 masa administrative për mjete të transportit publik që janë konstatuar pa dokumentacionin përkatës.
Policia Rrugore e Fierit apelon drejtuesit e mjeteve të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të të gjithë përdoruesve të rrugës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




