Lidhja e bregdetit me zonat e brendshme, ministri Gonxhja shpalos planin për zhvillimin e turizmit gjithëvjetor

Turizëm | 1 orë më parë

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, ka bërë me dije se Banka Botërore, në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), do të mbështesë Shqipërinë me një grant prej 3 milionë dollarësh. Fondi do të shërbejë për të financuar përgatitjen e projektit për zhvillimin e integruar të ekosistemit turistik në vend.

Nisma synon të krijojë një rrjetëzim më efektiv mes turizmit bregdetar dhe zonave të brendshme gjeografike. Përmes kësaj strategjie, objektivi është përfshirja e më shumë destinacioneve natyrore e kulturore në itineraret e udhëtarëve, duke mundësuar shpërndarjen e të ardhurave ekonomike në një territor më të gjerë.

Objektivat kryesorë, zgjatja e sezonit, biznesi lokal dhe mbrojtja e pasurive natyrore

Projekti përqendrohet në krijimin e kushteve për turizëm gjithëvjetor, përmirësimin e infrastrukturës lokale dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve në destinacionet kryesore e ato dytësore. Sipas kreut të dikasterit të Turizmit, rritja e numrit të vizitorëve përgjatë gjithë vitit pritet të përkthehet në më shumë aktivitet për sipërmarrjet lokale, rritje të të ardhurave familjare dhe krijimin e mundësive për punësim më cilësor në këtë sektor.

“Miratuam në Qeveri vendimin ‘Për marrëveshjen e grantit 3 milionë dollarë me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për përgatitjen e projektit për zhvillimin e integruar të ekosistemit të turizmit’. Risia kryesore është një plan i përbashkët që lidh destinacionet turistike dhe nevojat e tyre për infrastrukturë, shërbime, aftësi profesionale dhe menaxhim,” deklaroi ministri Gonxhja.

Mbulimi i kostove dhe zbatimi i projektit

Lidhur me menaxhimin financiar, ministri sqaroi se ky grant do të mbulojë të gjitha studimet e fizibilitetit, vlerësimin e ndikimit në mjedis, si dhe përgatitjen e dokumentacionit përkatës.

“Kostot e kësaj faze, përfshirë kostot operative të Njësisë së Zbatimit të Projektit, mbulohen nga vetë granti, pa detyrime financiare shtesë për Buxhetin e Shtetit në këtë fazë. Aktivitetet parashikohen të zbatohen nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në bazë të marrëveshjes së zbatimit me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit,” nënvizoi ai.

Kjo nismë do të zhvillohet në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2024–2030, me synim që përveç përmirësimit të infrastrukturës, të nxitet edhe bashkëpunimi rajonal përmes lidhjeve turistike ndërkufitare.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme