Oqeanet thithën një sasi rekord nxehtësie, 40 herë më shumë se energjia e përdorur nga njerëzimi

Oqeanet e botës kanë thithur vitin e kaluar një sasi rekord nxehtësie, ekuivalente me 23 zettajoule, një njësi që përfaqëson një sasi kolosale energjie. Për ta kuptuar më lehtë, kjo energji është gati 40 herë më e madhe se e gjithë energjia që përdori njerëzimi gjatë të njëjtit vit.
Një zettajoule është e barabartë me 1 trilion miliardë joule, ndaj 23 zettajoule përfaqësojnë një sasi energjie që është e vështirë të imagjinohet në terma të përditshëm. Sipas shkencëtarëve, kjo nxehtësi e jashtëzakonshme po i bën oqeanet gjithnjë e më të ngrohta dhe po ndikon në nivelin e detit dhe në ekosistemet detare.
Të dhënat janë publikuar në edicionin e 10-të të raportit “Copernicus Ocean State Report”, i cili dokumenton ndryshimet që po ndodhin në oqeanet e botës.
Sipas raportit, niveli i deteve është rritur mesatarisht me rreth 3.8 milimetra në vit që nga viti 1999. Ritmi është përshpejtuar më tej dhe ka arritur në rreth 4.2 milimetra në vit gjatë periudhës 2012-2025.
Ndërkohë, oqeanet janë bërë rreth 17% më acidike gjatë 40 viteve të fundit. Shkencëtarët theksojnë se detet kanë përthithur rreth një të tretën e dioksidit të karbonit të çliruar nga aktiviteti njerëzor dhe rreth 90% të nxehtësisë shtesë të bllokuar në sistemin klimatik të Tokës nga gazrat serrë.
“Oqeani po transformohet para syve tanë. Ngrohja, rritja e nivelit të detit dhe degradimi i ekosistemeve janë shenja të ndërlidhura të një ndryshimi të rëndësishëm dhe afatgjatë”, tha Pierre Bahurel, drejtor i përgjithshëm i Mercator Ocean International, institucioni që publikoi raportin.
Në Evropë, e cila po ngrohet me një ritëm dy herë më të shpejtë se mesatarja globale, Mesdheu dhe Deti i Zi janë përballur me vala rekord të të nxehtit detar. Temperaturat e larta nuk janë kufizuar vetëm në sipërfaqe, por kanë depërtuar edhe në shtresat më të thella të ujit, ndërsa në disa raste periudhat e nxehtësisë ekstreme kanë zgjatur më shumë se një muaj.
Shkencëtarët kanë konstatuar gjithashtu një përshpejtim të rritjes së nivelit të detit në pjesën perëndimore të Mesdheut. Në tërësi, Mesdheu është ngrohur me rreth 0.32 gradë Celsius për dekadë, duke favorizuar shtimin e valëve të të nxehtit detar, veçanërisht vitet e fundit.
Ujërat e ngrohta pranë brigjeve mund të përkeqësojnë edhe valët e të nxehtit në tokë, pasi deti çliron nxehtësi gjatë natës dhe pengon ftohjen e ajrit.
Pasojat janë të dukshme edhe në jetën detare. Nga janari 2023 deri në shtator 2025, 84% e shkëmbinjve koralorë në botë kanë përjetuar nivele nxehtësie që shkaktojnë zbardhjen e koraleve.
Gjatë 30 viteve të fundit, gati 5% e oqeanit ka përjetuar gjithashtu ndryshime të qëndrueshme në modelet e rritjes së fitoplanktonit, organizma mikroskopikë që qëndrojnë në bazën e zinxhirëve ushqimorë detarë dhe luajnë rol të rëndësishëm në qarkullimin e karbonit.
Në Antarktidë, katër koloni pinguinësh perandorë kanë përjetuar dështim të plotë të riprodhimit në vitin 2022, gjatë periudhave kur akulli detar arriti nivele rekord të ulëta.
Raporti është publikuar në të njëjtën kohë me një tjetër analizë të Copernicus, e cila paralajmëron për pasojat e kombinimit të temperaturave ekstreme dhe ndotjes së ajrit. Sipas saj, gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026, vetëm 5% e popullsisë së botës është ekspozuar ndaj niveleve të ozonit në tokë që konsiderohen të mira dhe brenda udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Fenomeni, i njohur si “penaliteti ozon-klimë”, shkaktohet nga ndryshimet kimike që ndodhin kur disa ndotës të ajrit ekspozohen ndaj temperaturave të larta dhe rrezatimit diellor.
Florian Pappenberger, drejtor i përgjithshëm i Qendrës Evropiane për Parashikimet e Motit Afatmesëm, tha se ndotja e ajrit nuk njeh kufij, pasi tymi i zjarreve, ozoni dhe pluhuri mund të udhëtojnë mijëra kilometra larg burimit të tyre.
Sipas tij, të dhënat tregojnë se ndryshimet klimatike, cilësia e ajrit dhe shëndeti publik janë probleme të ndërlidhura, që kërkojnë bashkëpunim ndërkombëtar.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





