Fshati Vuno shpallet Qendër Historike, Tavo: Vendimi do të mbrojë trashëgiminë dhe do të ndikojë pozitivisht në turizëm

Turizëm | 2 orë më parë

Fshati Vuno, një prej perlave të trashëgimisë kulturore në bregdetin e Himarës, është shpallur zyrtarisht Qendër Historike me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Ky vendim pritet të forcojë mbrojtjen institucionale të vlerave arkitekturore dhe historike të zonës, duke krijuar njëkohësisht mundësi të reja për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.

Duke folur në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, e cilësoi këtë vendim si një hap të rëndësishëm për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Vunoit.

Sipas Tavos, edhe më parë Vunoi ka gëzuar status mbrojtës, por vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave e përcakton tashmë qartë si qendër historike dhe vendos kufizime e detyrime të reja në funksion të mbrojtjes së identitetit të tij.

“Para 10 vitesh Vunoi ka pasur një status mbrojtës, por tashmë me VKM-në e re përcaktohet qartë si një qendër historike. Kjo ka të bëjë jo vetëm me përcaktimin e kufijve, por edhe me gjithë procesin e ruajtjes së kësaj trashëgimie të vyer që Vunoi përfaqëson si pjesë e Bashkisë së Himarës. Që në momentin e parë Bashkia ka qenë mbështetëse e këtij procesi, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, e cila ka qenë iniciatore për shpalljen e Vunoit qendër historike”, tha Tavo.

Ai theksoi se ky vendim shkon përtej mbrojtjes së një fshati të vetëm dhe hap rrugën për njohjen dhe mbrojtjen e qendrave të tjera historike në territorin e Himarës.

“Kjo do të bëjë që të ruhet jo vetëm Vunoi, por ne do të kërkojmë që edhe Dhërmiu dhe qendra të tjera që ka Bashkia e Himarës të përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave si qendra historike. Himara ka disa qendra të tilla me vlera të jashtëzakonshme dhe një status i tillë garanton që këto pasuri të mbrohen nga ndërhyrjet e papërshtatshme që mund të kenë ndodhur në të kaluarën”, u shpreh ai.

Kreu i Bashkisë Himarë nënvizoi se Vunoi është ruajtur ndër vite me përkushtim, ndërsa vendimi i ri e rrit edhe më tej përgjegjësinë e institucioneve për mbrojtjen e karakterit autentik të fshatit.

“Vunoi është ruajtur me fanatizëm nga Bashkia e Himarës, por VKM-ja e fundit na obligon edhe më shumë për të vazhduar në këtë drejtim dhe për të mos prekur vlerat historike që ka ky fshat. Çdo ndërhyrje që do të kryhet në banesat historike do të kërkojë, si gjithmonë, miratimin dhe vendimmarrjen e institucioneve përgjegjëse për monumentet e kulturës. Ky është një detyrim që nuk mund të shmanget dhe garanton ruajtjen e identitetit historik të zonës”, deklaroi Tavo.

Sipas tij, statusi i ri pritet të sjellë edhe një rritje të interesit të turistëve dhe vizitorëve, duke e bërë Vunoin edhe më të njohur në hartën e destinacioneve kulturore të vendit.

“Ky vendim do të sjellë padyshim një vëmendje më të madhe nga vizitorët. Kur një zonë merr statusin e qendrës historike, rritet interesi për ta vizituar, për të njohur historinë dhe arkitekturën e saj. Kjo do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë edhe në turizëm dhe është një zhvillim pozitiv për vetë banorët e Vunoit. Përmes kësaj vendimmarrjeje do të krijohen më shumë mundësi ekonomike për familjet që jetojnë në fshat dhe që e kanë lidhur jetesën e tyre me aktivitetet turistike dhe shërbimet për vizitorët”, tha ai.

Vunoi konsiderohet një nga fshatrat më karakteristikë të Rivierës shqiptare, i njohur për arkitekturën tradicionale, shtëpitë prej guri, rrugicat karakteristike dhe historinë e pasur.

Shpallja e tij si Qendër Historike pritet të forcojë mbrojtjen e këtyre vlerave, duke krijuar një ekuilibër mes zhvillimit turistik dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore për brezat e ardhshëm.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme