Përmeti, destinacioni i aventurës, turistët e huaj zgjedhin gjithnjë e më shumë turizmin malor

Turizëm | 1 orë më parë

Përmeti po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë që zgjedhin natyrën dhe aventurën, duke e kthyer turizmin malor në një nga alternativat për të eksploruar zonën. Operatorët turistikë thonë se turet që zhvillohen në zonat malore të Përmetit zgjasin kryesisht nga një deri në katër ditë, ndërsa pjesa më e madhe e interesit vjen nga turistët e huaj.

“Siç edhe relievi në këtë luginën e sipërme të Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa e lejon, mund të bëjmë hiking, mund të bëjmë edhe mountain bike, me biçikleta. Normalisht, terreni është i përshtatshëm për një turizëm malor, për të bërë shtigje që nuk janë shumë të rrezikshme, dhe këtë mund ta përmendim. Kemi malin e Nemërçkës, malin e Dhëmbelit, malin e Trebeshinës, kemi Parkun Kombëtar të Bredhit të Hotovës, që edhe ai i jep një vlerë të shtuar turizmit malor në këtë zonë. Janë ture njëditore, por ka edhe ture tre- ose katër ditorë, siç është ai i Zagorisë”, u shpreh Julian Elezi, operator turizmi.

Megjithatë, pavarësisht se terreni konsiderohet i një niveli mesatar, përgatitja përpara nisjes mbetet e domosdoshme. Veshjet dhe këpucët e përshtatshme, pajisjet e nevojshme për ecje në terren malor, si edhe orientimi me GPS, janë disa nga elementët që duhet të ketë parasysh çdo turist.

“Veshjet kundër të ftohtit, kundër shiut; duhet të jemi të mirëinformuar për zonën dhe për territorin ku do të shkojmë. Do të kemi një guidë të certifikuar për këtë dhe, sigurisht, do të shikojmë edhe kohën”, tha ai.

Turizmi i aventurës po shihet kështu si një mundësi për të zbuluar një tjetër dimension të Përmetit, përtej destinacioneve tradicionale. Për operatorët, pasuria natyrore e zonës krijon potencial për zhvillimin e mëtejshëm të aktiviteteve në natyrë dhe shtimin e numrit të vizitorëve që zgjedhin turizmin malor.

Gazetare: L. Koçiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme