Turistët shijojnë ditët me diell dhe detin, plazhet e Sarandës vazhdojnë të mbushura edhe në tetor
Edhe pse jemi zyrtarisht në muajin tetor, plazhet e Sarandës vijojnë të mbeten të frekuentuara nga turistë, të cilët po shfrytëzojnë ditët me diell dhe temperaturat ende të favorshme. Në bregdetin e qytetit jugor, vizitorë të huaj dhe vendas shihen duke pushuar në plazhe, duke notuar në det apo duke shijuar qetësinë që ofron fundi i sezonit turistik. Moti i qëndrueshëm ka bërë që sezoni të zgjasë më shumë se zakonisht.
“Kemi ardhur për disa ditë pushim. Temperatura është e këndshme. Po shijojmë detin dhe diellin. Dhe për këtë periudhë të vitit uji është shumë mirë. Është hera e parë këtu për ne. Çmimet në Sarandë dhe në Shqipëri në përgjithësi janë në rregull. Është pak më e shtrenjtë nga sa mendonim, por gjithsesi është më lirë se çdo vend tjetër i Mesdheut. Ne jemi nga Anglia dhe dua të them se ne nuk e kemi këtë mot atje”, u shpreh një turist.
“Është hera jonë e parë këtu dhe e kemi zgjedhur këtë destinacion duke u fokusuar kryesisht te plazhet që dëshironim të vizitonim. Deri tani kemi kaluar shumë mirë dhe jemi shumë të kënaqur me përvojën tonë. Në përgjithësi, jemi të impresionuar nga vendi dhe atmosfera. Po, absolutisht që do të rikthehemi përsëri. Edhe bashkëshorti im e thotë gjithmonë këtë, se ky është një destinacion ku do të vijmë sërish në të ardhmen”, tha një turiste tjetër.
Në këtë mënyrë Saranda po vijon të mbajë ritmin e një destinacioni turistik aktiv edhe përtej sezonit veror, duke dëshmuar edhe njëherë tërheqjen e saj për vizitorët gjatë gjithë vitit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





