Blogu francez: Shqipëria fiton vëmendje si destinacion bregdetar i përballueshëm

Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje si një alternativë më e përballueshme për pushime, në një kohë kur destinacionet e njohura ndërkombëtare, veçanërisht ato ishullore dhe të orientuara drejt turizmit luksoz, shoqërohen me kosto të larta.
Sipas një artikulli të publikuar në blogun francez “Horticulture-Abadie-Pyrénées”, Shqipëria renditet ndër destinacionet që mund të ofrojnë një përvojë tërheqëse pushimesh me çmime më të përballueshme, duke u bërë një mundësi interesante për vizitorët, që kërkojnë të zbulojnë vende të reja pa shpenzime të larta.
Belgët kanë nisur përgatitjet për pushimet verore.
Edhe pse Franca, Belgjika dhe Italia mbeten ndër destinacionet më të preferuara, gjithnjë e më shumë vëmendje po u kushtohet edhe vendeve të tjera që ofrojnë alternativa të ndryshme për pushime.
Kostoja e një udhëtimi mund të ndryshojë ndjeshëm edhe brenda të njëjtit shtet, në varësi të rajonit.
Një shembull është Spanja, ku çmimet në destinacione të njohura si Marbella ndryshojnë nga ato në zonën e Costa Brava-s.
Në përcaktimin e kostos së një udhëtimi ndikojnë disa faktorë, ndër të cilët përfshihen transporti, lloji i paketës së zgjedhur, kohëzgjatja e qëndrimit dhe kostoja e jetesës në destinacion.
Ishujt ekzotikë, destinacione të lidhura me turizmin luksoz
Destinacionet ishullore janë përgjithësisht më të kushtueshme, kryesisht për shkak të kostove të larta të transportit dhe logjistikës.
Në Maldive, për shembull, secili ishull ka zakonisht vetëm një resort, duke kufizuar ofertën dhe duke ndikuar në rritjen e çmimeve.
Vetëm një transfertë me hidroplan mund të kushtojë nga 450 deri në 600 dollarë, ndërsa një natë në një bungalou mbi ujë në resort, mund të kushtojë rreth 2 000 dollarë.
Edhe Barbadosi, Ishujt Kajman, Sejshellet dhe Mauritius janë ndër destinacionet që orientohen kryesisht drejt turizmit të luksit.
Shqipëria, destinacioni i ri me çmime më të përballueshme
Në të kundërt, Shqipëria po shfaqet si një destinacion në zhvillim, i cili ofron mundësi më të përballueshme për pushime.
Piet Demeyere, zëdhënës i “TUI Belgium”, kompania belge e grupit ndërkombëtar të turizmit TUI, tha se ky është viti i tretë që kompania e përfshin Shqipërinë në programin e saj veror dhe e rendit atë ndër destinacionet me çmimet më të ulëta.
Sipas tij, Shqipëria është e aksesueshme edhe përmes fluturimeve direkte të “TUI fly” drejt Tiranës.
“Ky destinacion u intereson veçanërisht atyre që dëshirojnë të zbulojnë vende të reja”, shprehet Demeyere.
Durrësi, në bregdetin shqiptar të Adriatikut dhe vetëm rreth 30 minuta me makinë nga Tirana, ofron edhe mundësi të përballueshme për të shijuar destinacionin.
Në qytet, marrja me qira e një biçiklete elektrike kushton rreth 5 euro për dy orë, duke krijuar një mundësi praktike për të eksploruar zonën dhe bregdetin.
Edhe pse hotelet luksoze pranë bregdetit mund të kenë çmime më të larta, zonat përreth ofrojnë alternativa më të përballueshme për akomodim.
Marrja me qira e një apartamenti paraqitet si një mundësi ekonomike, për vizitorët që dëshirojnë të shijojnë bregdetin shqiptar, duke ruajtur një raport të favorshëm mes kostos dhe qëndrimit.
Ndër destinacionet e tjera të renditura nga blogu francez “Horticulture-Abadie-Pyrénées” përfshihen Islanda, Zvicra, Afrika Japonia, Bullgaria dhe Tunizia, të cilat paraqiten si alternativa për turistët, që kërkojnë të zbulojnë vende të ndryshme gjatë pushimeve verore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





