Kuvendi i Kosovës në seancë të jashtëzakonshme, në fokus projektligji për Gjykatën Speciale

Kuvendi i Kosovës mblidhet sot (5 tetor) në seancë të jashtëzakonshme plenare, me një agjendë prej 22 pikash që përfshin çështje të drejtësisë, energjisë, financave dhe emërimeve në institucione të rëndësishme. Seanca nis në orën 09:00, ndërsa pika e parë është shqyrtimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në rendin e ditës është edhe ratifikimi i marrëveshjes së kredisë ndërmjet Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, e cila lidhet me Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë. Deputetët do të shqyrtojnë një sërë marrëveshjesh financiare me Bashkimin Evropian, përfshirë ndryshimet në marrëveshjet për programet IPA 2021 dhe IPA 2022, si dhe Marrëveshjen Financiare për Programin Shumëvjeçar IPA 2026-2027. Pjesë e agjendës janë edhe disa emërime institucionale. Kuvendi pritet të vendosë për dy anëtarë të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe kryesuesin e këtij bordi, si dhe për Auditorin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës dhe dy anëtarë joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore.
Në fokus do të jetë edhe legjislacioni në fushën e drejtësisë. Ndër projektligjet që do të shqyrtohen janë ai për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ndryshimet në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, si dhe projektligji që përcakton rregullat për rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve e prokurorëve.
Në agjendën parlamentare janë edhe ndryshimet në ligjet për Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Projektligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe Projektligji për Akademinë e Drejtësisë. Seanca përfshin gjithashtu shqyrtimin e projektligjeve për Energjinë, Energjinë Elektrike, Inovacionin dhe Ndërmarrësinë, pagesat e vonuara në transaksionet tregtare, menaxhimin e resurseve ujore dhe ndryshimet në Ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2026. Para seancës plenare, në orën 08:00, do të mblidhet Komisioni për Legjislacion.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





