Thellimi i bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes/ Shqipëria, Italia, Greqia, Kroacia, Mali i Zi dhe Sllovenia bëhen bashkë në Venecia

Politikë | 1 orë më parë

Ministrat e Mbrojtjes të gjashtë vendeve bregdetare të hapësirës Adriatiko-Joniane, Shqipëria, Italia, Greqia, Kroacia, Mali i Zi dhe Sllovenia u mblodhën sot në Venecia për të diskutuar mbi thellimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, përballë një mjedisi gjithnjë e më kompleks strategjik.

Gjatë punimeve të takimit, ministri i Mbrojtjes Nufi theksoi rëndësinë e forcimit të kësaj nisme si një mekanizëm kyç praktik për rritjen e koordinimit, ndërveprueshmërisë dhe ngritjen e kapaciteteve të përbashkëta, me synim përgjigjen me efektivitet ndaj sfidave të reja të sigurisë.

Në fjalën e tij, ministri Nufi nënvizoi mbështetjen e Shqipërisë për vijimin e diskutimeve mbi Nismën Kontinentale Evropiane për Mbrojtjen (CEDI), ku Evropa merr përgjegjësi më të mëdha për sigurinë e saj në mënyrë komplementare me NATO-n dhe duke ruajtur të forta lidhjet transatlantike.

“ADRION dhe CEDI janë dy drejtime plotësuese: njëri përmes thellimit të bashkëpunimit praktik në Adriatik dhe Jon; ndërsa tjetri përmes forcimit të koordinimit politik e strategjik në Evropë,” u shpreh ai.

Në këtë kuadër, Ministri Nufi konfirmoi gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar në mënyrë aktive në jetësimin e ambicieve të përbashkëta, duke i shndërruar ato në kapacitete reale dhe rezultate concrete në shërbim të sigurisë evropiane e më gjerë.

Nisma Adriatiko-Joniane (ADRION) është një mekanizëm rajonal bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë detare midis Shqipërisë, Italisë, Greqisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Sllovenisë. Nisma fokusohet në rritjen e bashkëpunimit praktik, koordinimit operativ, ndërveprueshmërisë ushtarake dhe zhvillimit të kapaciteteve të përbashkëta mbrojtëse në rajon.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme