Kërcënimet hibride ndaj Shqipërisë – Kreu i AKSK-së flet për sulmet e jashtme gjatë protestës
Kërcënimet hibride dhe sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë ishin në fokus të një workshop-i të zhvilluar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, në bashkëpunim me Qendrën Europiane të Ekselencës për Kundërvënien ndaj Kërcënimeve Hibride.
Kreu i AKSK-së, Bledar Kazia, deklaroi gjatë një prononcimi për mediat se gjatë protestës së fundit janë konstatuar sulme të jashtme ndaj sistemeve, duke nënvizuar nevojën për forcimin e mbrojtjes kibernetike dhe koordinimit institucional.
“Po, AKSK-ja ka të dhëna dhe ka rënë në kontakt me këto të dhëna duke bërë monitorim të burimeve të hapura për pjesën kibernetike, që ne e kemi detyrim ligjor. Këto ndërhyrje kanë qenë kryesisht për dezinformim, për masivizim jo real të protestës dhe të lajmeve që lidhen me protestën, si dhe manipulime me inteligjencë artificiale të videove apo fotove nga terreni. Ndërhyrjet janë reale dhe janë të provuara.
Sipas ekspertes së Hybrid CoE, Martha Turnbull, Shqipëria, ashtu si vendet e tjera europiane, vijon të përballet me kërcënime hibride, veçanërisht në mjedisin informativ.
“Kemi parë shembuj konkretë të sulmeve kibernetike në Shqipëri të lidhura me aktivitetin iranian. Por në të gjithë Europën, mjedisi informativ vijon të jetë objektiv i vazhdueshëm i aktorëve të kërcënimeve hibride, veçanërisht përmes dezinformimit.”
Në aktivitet, ekspertët diskutuan edhe për dezinformimin dhe ndërhyrjet e huaja, veçanërisht në periudha zgjedhore, si dhe për mënyrat e identifikimit dhe kundërvënies ndaj kërcënimeve hibride.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




